Financat prekin fundin
Realizimi i të ardhurave nga ana e Ministrisë së Financave për 6-muajt e parë të këtij viti është më i dobëti në historinë e 14 viteve të fundit. Sipas ekspertëve, ajo që përbën edhe problemin më të rëndë në buxhetin e shtetit, është pikërisht konsumimi i deficitit të brendshëm në masën 70% vetëm për pjesën e parë të vitit, gjë e cila do ta detyrojë qeverinë që për pjesën e mbetur të vitit të shkurtojë në mënyrë drastike shpenzimet.
Por, ajo që vihet në re në bilancin e publikuar nga financat është edhe situata e rëndë që po kalon biznesi në vend, ku tatimi mbi fitimin dhe taksa e biznesit të vogël tregojnë një mosrealizim të planit afërisht në masën 30%, raporton Vizion Plus.
Situata e vështirë financiare do e detyrojë qeverinë që të shkurtojë buxhetin në muajin shtator. Për ekspertët konsiderohet si e vonuar kjo nisëm pasi duhej të bëhej më parë, por shtyrja e privatizimeve të Albpetrolit dhe 4 HEC-eve ka mbajtur deri tani peng buxhetin, me shpresën se të ardhurat që do të vijnë nga këto privatizime do të përmirësojnë disi financat e vendit.
