21 janari, ndalohet një nga gardistët
Policia e Tiranës ka ndaluar një prej gardistët të cilët dyshohen se kanë qëlluar mbi demonstruesit në ngjarjet e 21 janarit. Mësohet se policia ka zbatuar urdhër-ndalimin e prokurorisë së kryeqytetit për ndalimin e gardistit Agim Lupo i cili dyshohet se ka qëlluar me armë në demonstratën e opozitës ku është vrarë edhe demonstrusi Ziver Veizi.
Edhe pse gjithçka është në kuadër të dyshimeve paraprake, ekspertiza balistike tregon se plumbi që kishte në trup demostruesi nga Gjirokastra i përkiste armës së një prej gardistëve. Gjithsesi hetimet si dhe autopsia do të jenë ato që do të zbardhin vdekjen e Veizit si dhe tre demostruesve të tjerë.
Ndërkohë ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga prokuroria e Tiranës në lidhje me urdhër-ndalimin që ky institucion ka lëshuar për një nga gardistët e dyshuar se kanë qëlluar me armë.