E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Hetimet pë videon janë marrë seriozisht

Ish-ministri i Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës Dritan Prifti është paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me video-përgjimin e publikuar kohë më parë në media mes tij dhe Ilir Metës.

Për më shumë se 2 orë e gjysëm ish-ministri Prifti është marrë në pyetje nga prokurorët në lidhje me videon, që përmban bisedën e përgjuar mes tij dhe ish-zv/kryeministrit Ilir Meta.
 

Në një prononcim për mediat deputeti Prifti ka deklaruar se është pyetur nga dy prokurorët e çështjes në lidhje me dëshmitë e tij të dhëna në Prokurorinë e Tiranës. 

"Jam thirrur nga prokurorët e çështjes për të dhënë detaje të tjera për hetimin. Isha në dispozicion të tyre për të dhënë detajet mbi këtë hetim. Kam sqaruar lidhur me dëshmitë në prokurorinë e Tiranës, janë konfirmuar përgjigjet e mia të mëparshme, por edhe përgjigjet e reja për disa deklarata që i ka bërë vetë Meta” theksoi Prifti.

Gjithashtu Prifti është shprehur i bindur se prokuroria po merret seriozisht me hetimin dhe theksoi se është i bindur se prokuroria nuk ka asnjë dyshim për vërtetësinë e videos. “Kuptova se nga ekspetiza çdo gjë që ka të bëjë me videon është e pamanipuluar dhe e paprekur “ theksoi Prifti duke shtuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me prokurorinë për hetimin e çështjes.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›