21 janari, në gjyq protestuesi i dhunshëm
Një tjetër pjesëmarrës në demonstratën e 21 janarit në Tiranë dërgohet në gjyq me akuzën e kundërshtimit të punonjësve të policisë gjatë kryerjes së detyrës.Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen penale në ngarkim të shtetasit Feta Mataj, 29 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës. Më 6 qershor 2011, dosja penale me numër 1634 është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës dhe shqyrtimi i saj do të bëhet nga gjyqtarja Antoneta Prendi. I akuzuari në këtë çështje, shtetasi Feta Mataj, ra në prangat e policisë nëntë ditë pas ngjarjeve të 21 janarit. Ai u arrestua së bashku me vëllain e tij e tij më datë 30 janar 2011, por pas hetimeve të zhvilluara, prokuroria dërgoi në gjykatë vetëm 29-vjeçarin. Sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë, akuza e ngritur ndaj protestuesit të 21 janarit është kundërshtim ndaj punonjësit të policisë së rendit publik, sipas nenit 236/2 të Kodit Penal. Në dosjen e dorëzuar në Gjykatën e kryeqytetit nuk rezulton ndërkohë akuza për “shkatërrim të pronës me zjarr”, ndonëse atë ditë, pas dhunës ndaj policisë, disa protestues dogjën disa automjete pranë Piramidës. Më 31 janar 2011, Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht se kishte realizuar arrestimin e dy shtetasve të përfshirë në aktet e dhunës ndaj forcave të rendit më 21 janar. Policia tha se kishte vënë në pranga shtetasit Feta Ajet Mataj, 29 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës, si dhe Arjanit Ajet Mataj, 38 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës. Asokohe policia tha se ndalimi i këtyre personave u bë pasi këta shtetas, më datë 21.01.2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, kanë goditur me sende të forta punonjësit e policisë të vendosur me shërbim për mbarëvajtjen e protestës dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Pak javë më parë, prokuroria përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj shtetasit Agron Troksi, drejtuesi i autoveturës “Benz 240? që “shpërtheu” portën e rrethimit të godinës së Kryeministrisë gjatë demonstratës së dhunshme të 21 janarit. Sipas prokurorisë, i pandehuri Agron Troksi do të përballet në gjykatë me akuzën e “shkatërrimit të pronës”. Ai është akuzuar se me makinën e tij ka lëvizur nga Unaza në drejtim të bulevardit dhe më pas ka ecur për te Kryeministria, ku i shoqëruar nga turma ka goditur portën metalike në hyrje të oborrit të Kryeministrisë, duke tentuar thyerjen e kësaj dere. Makina e tij, sipas prokurorisë, mbeti në derën e Kryeministrisë pas ndërhyrjes nga forca të Gardës dhe të Policisë së Shtetit.
Akuza: 12-15 persona u vunë flakën automjeteve
Në të njëjtën ditë me Feta Matajn, policia arrestoi edhe shtetasin Altin Bajram Koçeku, 19 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Policia deklaroi se arrestimi i 19-vjeçarit u bë pasi më datë 21.01.2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka konsumuar veprën penale “shkatërrim i pronës me zjarr”. Ndërkohë, organi i akuzës, duke shqyrtuar edhe pamjet filmime dhe provat e dëshmitë në vendin e ngjarjes, ka identifikuar rreth 15 persona që kanë marrë pjesë në djegien e disa automjeteve që ishin parkuar në anë të bulevardit dhe pranë godinës së Piramidës në Tiranë. Me anë të analizimit të imazheve filmike, por edhe nga pyetja e dëshmitarëve, prokuroria dhe policia kanë identifikuar 12-15 persona që kanë kryer shkatërrimin e të paktën 22 automjeteve që ishin parkuar në anë të bulevardit dhe më tej përreth Piramidës. Këtyre automjeteve fillimisht u janë thyer xhamat dhe më pas u është vënë flaka gjatë akteve të dhunës më 21 janar.
Pezullohet e kthehet në polici dosja e “organizatorëve”
TIRANE – Pak ditë pas ngjarjeve të 21 janarit, Policia e Shtetit dorëzoi në prokurori një dosje penale me kallëzime për disa deputetë dhe zyrtarë të opozitës. Sipas policisë, shtetasit Tom Doshi, Paulin Sterkaj, Besnik Baraj, Pjerin Ndreu etj., ishin parë në imazhet filmime të qëndronin në rreshtin e parë të turmës më 21 janar dhe disa prej tyre dyshoheshin se i kishin nxitur qytetarët për të kundërshtuar e qëlluar policinë. Strukturat e rendit denoncuan gjithashtu në prokurori edhe politikanët Spartak Ngjela dhe Skënder Gjinushi me akuzën e thirrjes publike për dhunë para, gjatë dhe pas ngjarjeve të 21 janarit. Prokuroria e mori në dorëzim kallëzimin e policisë më 25 janar dhe më pas filloi procedurat e verifikimit për të gjetur nëse kishte elemente të veprës penale në këtë çështje. Deputetët e PS-së, Tom Doshi e Paulin Sterkaj, u paraqitën e dhanë deklarime në Prokurori. Po kështu edhe persona të tjerë të denoncuar nga policia. Më pas, organi i akuzës, pasi kreu edhe disa verifikime të tjera shtesë, vendosi pezullimin e hetimeve dhe dërgimin e dosjes në polici për plotësim me prova. Tabulatet telefonike të disa protestuesve që kanë marrë pjesë në aktet e dhunës janë verifikuar për të parë nëse ata janë ftuar në protestë nga zyrtarë të PS-së ditë para 21 janarit dhe nëse kanë marrë porosi apo instruksione për të ushtruar dhunë.
Trazhgim Sokolaj