Kushtetuesja nis shqyrtimin e dosjes Hakmarrja për drejtësi

Orik Shyti
TIRANE – Gjykata Kushtetuese zhvilloi dje seancën e parë të shqyrtimit të padisë së bërë nga avokatët e Orik Shytit kundër dënimit të dhënë nga gjykatat shqiptare. Në seancën e djeshme, e para në Kushtetuese për këtë proces, prokurori i çështjes i ka cilësuar pretendimet e palës mbrojtëse si të pabazuara në ligj dhe Kushtetutë. Ndërkohë, avokati pretendoi për shkelje të rënda procedurale. “Në dosje ndodhen rreth 46 procesverbale me deklarime të të pandehurve, 1/6 e të cilave pa datë. Në dy prej tyre nuk është shënuar as muaji kur janë përpiluar. Deklarimet e tyre janë vetëm një pjesë e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme. Në këtë mënyrë janë mbledhur të gjitha provat”, tha avokati. Sipas të dhënave që u paraqitën në Gjykatën Kushtetuese, seanca e parë gjyqësore për çështjen “Shyti” filloi më 24 dhjetor 1998. Po kështu, sipas dosjes, vendimi përfundimtar për burgim të përjetshëm ka dalë vetëm në vitin 2008. Për këtë arsye, gjyqtari Sokol Sadushi ka kërkuar sqarime nga përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme se përse kjo çështje është mbajtur kaq gjatë në gjykatë. “Unë gjykoj se nuk mund të konsiderohet prekje e këtij parimi nëse një juridiksion i caktuar, për shembull Shqipëria, nuk prodhon dot për çështje të ndërlikuara një shpejtësi si Amerika, fjala vjen. P.sh., ajo për një çështje mund të kërkojë dy muaj, në një kohë që ne e trajtojmë në një periudhë 1-vjeçare”, tha gjyqtari Sadushi. Pasi ka dëgjuar sqarimet e palëve, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të administruar provat para se të dalë në një vendim përfundimtar për dosjen. Padia në Gjykatën Kushtetuese nga avokatët e Orik Shytit, të akuzuarit si anëtar i Hakmarrjes për Drejtësi, u dorëzua më 25 dhjetor 2011. Gjykatat shqiptare i kanë dënuar shtetasit Altin Arapi dhe Orik Shyti me burgim të përjetshëm, në kuadër të dosjes “Hakmarrja për drejtësi”, ndërkohë që për Gentian Cakën është vendosur 25 vjet burg, ndonëse prokuroria kishte kërkuar burg përjetë. Po kështu, janë dënuar me 24 vjet Leart Shyti dhe me 25 vjet burg Roland Shyti. Ata kanë pretenduar për shkelje procedurale në dosje dhe i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.