Shtyllat në erë, 50 persona të shoqëruar në Komisariat

Shtylla e dëmtuar
FUSHE-KRUJE – Ende asnjë i arrestuar për hedhjen në erë të dy shtyllave të tensionit në fshatin Kadias të rrethit të Krujës. Policia e Krujës, në bashkëpunim me specialistë të Antiterrorit, ka shoqëruar 50 persona për të bërë të mundur identifikimin e autorëve të këtij krimi tashmë të përsëritur, po nuk ka mundur dot të arrijë në përfundimin mbi autorësinë e shpërthimeve të fuqishme ndodhur mëngjesin e së mërkurës. Sipas ekspertëve, pritet përgjigjja mbi analizimin që do t’u bëhet shenjave të lëna nga autorët mbi provat e bllokuara në zonën ku ndodhi shpërthimi. Në afërsi të të dy shtyllave, policia gjeti fitil të pandezur të lëndës plasëse, të lëna nga autorët në momentin kur dy shtyllat po rrëzoheshin nga dëmtimi i këmbëve. Këto struktura vazhdojnë punën në drejtim të identifikimit të autorëve të ngjarjes. Materialet për veprat penale të shkatërrimit me eksploziv dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake i kaluan për ndjekje Prokurorisë së rrethit Krujë, ndërkohë që rasti i dy ditëve më parë shënon ngjarjen e tetë të rëndë brenda muajve të fundit, ku autorët kanë pasur si qëllim shkatërrimin e objekteve që kanë lidhje me fabrikën e çimentos. Policia ka hedhur dyshimet ste banorët e zonës përreth për shkak të mosdëmshpërblimeve për ndotjen dhe çështjen e konfliktit mbi tokën. Ndërkohë që është përjashtuar deri tani pista e konkurrencës. r.n