E Diel, 1 Nëntor 2026

"21 janari", prokuroria kërkon përjashtimin, Haxhialushi dorëhiqet

TIRANE- Astrit Haxhialushi, gjykatësi që kryesonte kolegjin për shqyrtimin e dosjes "21 janari" ka 'preferuar' të heqë dorë, pa pritur një vendim të kolegëve për përjashtimin e tij, sipas kërkesës së prokurorisë. Të premten, gjykatësi Haxhialushi i është drejtuar kryetarit të Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj, me kërkesën për heqjen dorë nga gjykimi i ishgardistëve Ndrea Prendi, Agim Llupo, të akuzuar për vrasje dhe të pandehurit tjetër Margarit Kume, duke argumentuar se ka papajtueshmëri për të ushtruar funksionin e gjykatësit, pasi ka shprehur mendim lidhur me çështjen. Burime nga gjykata thanë se kryegjykatësi Malaj e ka pranuar kërkesën e Haxhialushit. Në seancën e dytë të shqyrtimit të çështjes '21 janari' pas zëvendësimit të dy anëtarëve të kolegjit penal, prokuroria kërkoi përjashtimin e relatorit Haxhialushi, me arsyetimin se kishte shprehur mendim për çështjen, pasi më herët ka qenë pjesë e dy trupave gjyqësore që kanë cilësuar fajtor dhe dënuar dy nga demonstruesit e protestës së '21 janarit'. Kërkesa e prokurorisë ishte hedhur në short dhe gjykatësja Fatmira Hajdari dhe do ta shqyrtonte atë. Por për shkak të heqjes dorë nga Haxhialushi, çështja mbeti pa objekt dhe si e tillë kërkesa u pushua. Pas largimit të relatorit të çështjes në Gjykatën e Apelit do të hidhet sërish short për të caktuar një të ri, për dosjen më të përfolur, që në jo pak raste është bërë objekt akuzash mes forcave politike. 

Në kushtet kur gjykata nis pushimet e verës, gjykimi i dosjes '21 janari', ku i pandehuri kryesor është Ndrea Prendi, ish-shefi i gardës së Republikës nën akuzën e vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj, pritet të rinisë në shtator, atëherë kur dhe do të kompozohet qeveria e re e drejtuar nga Edi Rama. Çështja "21 janari" u apelua nga prokuroria, pasi Gjykata e Tiranës u dha pafajësinë ish-kryegardistit Ndrea Prendi dhe ish-gardistit Agim Llupo, ky i fundit nën akuzën e vrasjes së demonstruesve Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Për Margarit Kumen, ishte prokuroria, e cila tërhoqi akuzën e kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Qytetarët u qëlluan për vdekje teksa merrnin pjesë në demonstratën e organizuar dy vite më parë nga opozita e bashkuar. Ndërsa prokuroria akuzon dy ish-zyrtarët e gardës për tri nga vrasjet, ndërsa pa autor mbetet ekzekutimi i Aleks Nikës.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›