Plagosjet në lokal, shpallet në kërkim Agim Myftari, autor i dyshuar
Durrës- Katër persona kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 pranë Stacionit të Trenit në këtë qytet ku janë dëgjuar të shtëna armësh.
Sipas policisë dyshohet se shtetasi Agim Myftari, banues në katin e dytë ku ndodhej lokali, ka qëlluar në drejtim të një lokali ku ndodheshin edhe të plagosurit. Ai është shpallur në kërkim nga uniformat blu.
Burimet e policisë konfirmojnë se të plagosur kanë mbetur shtetasit Hamdi Lama 55-vjeç, Tasim Hallulli, Ilia Plaku 66-vjeç dhe Bujar Luku 55-vjeç. Mësohet se të lënduarit ishin klient të rastësishëm në lokal dhe nuk njiheshin me njëri-tjetrin.
Të lënduarit janë dërguar menjëherë në spitalin e qytetit teksa raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
Ende nuk dihen shkaqet e sherrit, por policia ka nisur hetimet. Ngjarja ka shkaktuar panik tek qytetarët, të cilët ishin të shumtë në vendngjarje.