E Diel, 1 Nëntor 2026

"21 janari", zbardhet dosja e prokurorisë, nuk ka akuzë për urdhëruesin

TIRANE - Prokuroria e Tiranës nuk ka hedhur ende dritë mbi urdhëruesin e vrasjeve të 21 Janarit. Në kërkesën për gjykim të organit të akuzës, ku në cilësinë e të pandehurit është marrë ish-kreu i Gardës së Republikës Ndrea Prendi, shoferi i tij Margarit Kume, dhe gardisti Agim Llupo, sqarohen me detaje të gjitha rrethanat e ngjarjes, por mister mbetet ende emri i personit i cili dha udhrin të qëllohej në 21 janar.

Në dosjen e Prokurorisë fillimisht rindërtohet i gjithë vendi i ngjarjes duke nxjerrë në pah faktin se Garda e Republikës kishte bërë një plan të detajuar masash për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, duke përcaktuar rolin e secilit efektiv garde në këtë plan.

Sipas kërkesës për gjykim, ish-komandati Ndrea Prendi i pajisur me pistoletë berreta dhe gardisti Agim Llupo kanë qëlluar njëkohësisht në drejtim të protestuesve.

Provat e forta që ka në dorë organi i akuzës, për të provuar fajësinë e të pandehurve janë aktet e ekspertimit të Byrose Federale të Hetimit. 

“21 janari”, përcaktohet trupi gjykues për katër të pandehurit
Përcaktohet trupi gjykues për dosjen e ngjarjeve të dhunshme të “21 janarit” ku në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë, humbën jetën katër demonstrues.

Pas hedhjes së shortit, gjyqtari Besnik Hoxha do të kryesojë trupin gjykues për ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, ndaj të cilit rëndon akuza e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të demonstruesit Faik Myrtaj dhe Agim Llupos, ish-shef i shtabit të Njësisë Speciale në Gardë, i cili do të përgjigjet para drejtësisë për vrasjet e demonstruesve, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda.

Anëtarët e tjerë të treshes gjyqësore janë gjyqtarët Ardiana Bera dhe Arjana Paco. I njëjti trup do të gjykojë edhe të pandehurin Margarit Kume, shoferi i ish-shefit të Gardës Ndrea Prendi, i cili akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Ndërkohë mësohet se pandehuri tjetër Armando Kasaj, specialist i IT në Këshillin e Ministrave, do të gjykohet në mënyrë të veçuar për akuzën e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Gjyqtari Ibrahim Hoxha do të kryesojë trupin gjyqësor për specialistin e IT-së.

Kur kishin mbetur vetëm pak ditë nga përfundimi i afateve ligjore, prokuroria e Tiranës dorëzoi dy ditë më parë në gjykatë dosjen e ngjarjeve të dhunshme të “21 janarit” për katër të pandehurit: Ndrea Prendi, Agim Llupo, Margarit Kume dhe Armando Kasaj.

Prokuroria firmosi edhe pushimin e hetimeve ndaj efektivave të Gardës së Republikës, Dashamir Shehi, Alfred Ahmetcenaj, Altin Kollçinaku, Fatos Bushati, Aleksandër Deda, Agron Malaj, Gazmend Ahmetaj, Sadik Çela dhe Mark Nikolli.

Plot 91 dëshmitarë priten të dëshmojnë në procesin ndaj katër të akuzuarve për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit 2011. Lajmi konfirmohet nga prokuroria e cila dërgoi dy ditë më parë për gjykim dosjen voluminoze të 21 janarit, të cilës i ka bashkangjitur dhe listën me emrat e 91 dëshmitarëve, të cilët do të rrëfejnë gjithçka panë në atë ditë janari, ku katër qytetarë u ekzekutuan pa faj.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera 21 JANARI, KERKESA E PLOTE PER GJYKIM 21 janari, vrasja e Aleks Nikës, xhaxhai: Prokuroria u bë palë me pushtetin Ndrea Prendi nën arrest shtëpie, tymos në ballkon

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›