E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirane vrasje me arme zjarri nje i vrare dhe 3 te plagosur

Pronari i një buzuku në zonën e Brrakës në Tiranë ka mbetur i vrarë nga një breshëri arme, ndërsa 3 persona të tjerë janë plagosur dhe kanë marrë plagë të rënda.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 1:45 pas mesnate duke u gdhirë dita e mërkurë, ndërsa motivet dhe autorët e saj mbeten ende mister.

Sipas policisë viktima është Nikolin Doda, nga Laçi, ndërsa mbetën të plagosur Uran Doda, 42 vjeç oficer i shërbimit të kontrollit të brendshëm, si dhe Agron Doci e Ilmi Meta, 41 dhe 40 vjeç.

Autori ka qëlluar nga jashtë lokalit në rrugë, dhe dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga dritarja e automjetit me të cilin lëvizte dhe është larguar autori.

Policia mori në pyetje klientët dhe personelin e buzukut, ndërsa pritej përmirësimi i gjendjes në spital për të marrë dëshmitë e tre të plagosurve.

Gjendja e të plagosurve në spitalin ushtarak sipas burimeve mbetet e rëndë dhe ende nuk jepeshin siguri të plota për jetën.

Në orët e mëngjesit kanë nisur veprimet e para policore për shoqërimin e personave të dyshuar dhe kontrolle në banesa për gjetjen e provave që mund t’i lidhnin këta persona me ngjarjen.

Të shoqëruarit janë kryesisht persona që kanë patur konflikte apo që dyshohen se mund të kenë motive hakmarrjeje ndaj pronarit të buzukut.

Gjithsesi burimet policore nuk konfirmonin të kishin arritur në një pistë apo të dyshuar konkretë për ngjarjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›