E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Lirisë së Shtypit-OSBE: Gazetarët rol guximtar

TIRANË- Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviæ, nderoi sot, në prag të 3 Majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, guximin e punonjësve të medias dhe theksoi rolin thelbësor të tyre në zhvillimin e demokracisë.

"Admiroj përpjekjet tuaja të patrembura për të thënë të vërtetën. Do të jetonim në një botë shumë ndryshe, nëse nuk do të kishim një media të fuqishme e të pavarur," deklaroi Mijatoviæ, gjatë vizitës në Tuniz, ku po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare për lirinë e medias.
"Në këtë moment, ndërsa festojmë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, shumë gazetarë ndodhen pas hekurave dhe shumë të tjerë ende presin për drejtësi", theksoi ajo.

"Unë do të vazhdoj të nxis qeveritë që të zgjidhin të gjitha rastet e dhunës ndaj gazetarëve dhe t'i japin fund mosndëshkimit të kriminelëve, me qëllim për ta bërë rajonin tonë më të mirë dhe më të sigurt për raportimin e lajmeve. Do të vazhdoj të jem kundër ligjeve kufizuese dhe praktikave që mbysin zërat e pavarur dhe kritikë të medias, offline dhe online", shprehet Mijatoviç.

"Revolucioni dixhital dhe teknologjitë moderne të internetit kanë ndryshuar metodat tuaja, por jo thelbin e punës suaj. Ato kanë mundësuar që mbledhja dhe shpërndarja e lajmeve të bëhet më shpejt dhe më lehtë, por nuk kanë eliminuar nevojën për raportim investigativ në mënyrë profesionale."

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, së bashku me tre relatorët e tjerë të posaçëm për lirinë e medias nga Kombet e Bashkuara, Organizata e Shteteve Amerikane dhe Komisioni Afrikan për të Drejtat e Njeriut dhe të Kombeve, do të marrin pjesë nesër në një konferencë të UNESCO-s dedikuar Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›