E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 kandidatët e padenjë për deputetë

Publikohet "lista e zezë" e koalicionit qytetar për një "Parlament të pastër" pas një skanimi që u është bërë gjithë kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. 21 kandidatë kanë rezultuar se nuk i përmbushin standardet kualifikuese dhe nuk janë të këshillueshëm për t‘u zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm. Koalicioni për "Parlament të pastër", kryesohet nga ish-presidenti i vendit, Alfred Moisiu, i cili theksoi se nga këta 21 kandidatë, shumica e tyre, 5 kandidatë janë nën siglën e Partisë Republikane, 4 në listat e PD-së dhe PDK, 3 në listat e PS-së dhe nga një në listat e LSI, G99, LDK, PDS, LZHK dhe PSV91. Nga një investigim i kryer për 165 emra të propozuar në listat e të gjitha partive politike për garën e 28 qershorit, 15% e tyre rezultojnë të papërshtatshëm për të qenë përfaqësues të qytetarëve në legjislaturën e ardhshme.

Ndër kriteret që koalicioni përfshiu në hulumtimin e tij ishte edukimi i kandidatëve, përvoja e tyre profesionale dhe ajo politike, si dhe precedentët penalë. Një tjetër kriter i cili u mor parasysh, edhe pse nuk kishte një peshë të llogaritur specifike në pikavarazhin e përgjithshëm, ishte përfshirja e kandidatëve në çështje kontraversiale të ngritura kryesisht nga shtypi i pavarur. 21 kandidatë për deputetë, janë shënjuar në listën e zezë të koalicionit për një "Parlament të pastër". Vlen të theksohet se ky koalicion ka publikuar emrat e kandidatëve, por nuk ka dhënë detaje të qarta se në cilën bazë është bërë kjo përllogaritje. Nga Partia Republikane, janë pesë kandidatë të cilët sipas hulumtimit të koalicionit për një "Parlament të pastër" rezultojnë se nuk përmbushin standardet. Astrit Veliaj, Hajrulla Paturri, Mehmet Spahiu, Myrvete Pazaj, Vasilika Çaushi janë ‘problematikët‘ e republikanëve. Në siglën e PD-së, koalicioni i ish-presidentit Moisiu ka përzgjedhur katër emra, të cilët janë Paulin Sterkaj, Indrit Fortuzi, Spiro Ksera dhe Lefter Maliqi. Nga PDK-ja janë Pashk Ujka, Frrok Gjini, Jak Ndokaj dhe Mark Kroqi. Në siglën e PS-së janë tre kandidatë të shigjetuar nga koalicioni për një "Parlament të pastër", ku radhiten emrat e Asllan Dogjanit, Tom Doshit dhe Vangjel Tavos. Nga partitë e vogla janë emrat e kandidatëve, Artur Duçkallari, Pilo Kërri, Viron Bezhani, Nazmir Bilani dhe Gëzim Boçari. Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, ky koalicion u angazhua në nismën për verifikimin e përshtatshmërisë së kandidatëve për deputetë, pra përfaqësuesve potencialë të shqiptarëve në katër vitet e ardhshme, me vlerat dhe atributet që duhet të mbartë pozicioni i përfaqësuesit të vullnetit dhe interesit të qytetarëve. Nga verifikimi i një skuadre gazetarësh hulumtues rezultoi se nga të gjithë kandidatët për deputetë të përzgjedhur në bazë të peshës specifike të partisë përkatëse në Parlamentin aktual dhe mundësisë së fitimit të mandatit, si rrjedhojë e pozicionit në listat zyrtare të partive, 21 prej tyre nuk mund të jenë të përshtatshëm si përfaqësues të denjë të elektoratit dhe gjithë qytetarëve shqiptarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›