Aksidentet në Tiranë, 4 të plagosur në 24 orë
Katër të plagosur të tjerë janë shënuar në Tiranë nga aksidentet rrugore. Të dëmtuarit janë përplasur nga mjete të ndryshme, teksa kanë qenë duke lëvizur në rrugë. Në lidhje me to, policia e Tiranës bëri të ditur se nga seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Romeo Papajanin, 28 vjeç, banues në Tiranë. Ky person rreth orës 13.45, në rrugën "Bardhyl", duke drejtuar mjetin "Citroen", me targë TR 9784 E, ka aksidentuar fëmijën Fatmir T., 9 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, për ndjekje penale në gjendje të lirë është dërguar edhe Eduart Avdiaj, 38 vjeç, banues në Tiranë, sepse në orën 13.00 të së shtunës, në Rrugën e Kavajës, duke drejtuar motorin "Honda", me targë TR 382 D, ka aksidentuar Endrit Nezirin, 20 vjeç. I dëmtuari, i cili ka pësuar disa plagë është dërguar menjëherë në spital, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa aksidenti i tretë është shënuar në orët e pasdites. Nga të dhënat policore mësohet se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Saimir Shqutin, 23 vjeç, banues në Bathore. Ky person, rreth orës 18.30, në Sauk, duke drejtuar mjetin "Fiat", me targë TR 1777 P, ka aksidentuar Bajram Rrushin, 16 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Sikur të mos kishin mjaftuar këto për ditën e shtunë, në orët e vona të mbrëmjes, e pikërisht rreth orës 22:00 është shënuar edhe një aksident i katërt. Burimet policore shpjeguan se në lidhje me këtë aksident u dërgua për ndjekje penale në gjendje të lirë Bujar Shehi, 34 vjeç. Ky person, në autostradën Tiranë-Vorë, duke drejtuar mjetin "Isuzu", me targë TR 9797 P, ka aksidentuar Ndue Lleshin, 26 vjeç, i cili edhe ky nuk ka pësuar plagë të rënda për jetën.