E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëzohet autori tjetër i vrasjes tek "Ali Demi"

Vetëdorëzohet në polici edhe autori tjetër i dyshuar për vrasjen e një 30-vjeçari dhe plagosjen e dy personave të tjerë një javë më parë te zona e "Ali Demit" në kryeqytet. Pas vetëdorëzimit të Erjon Dudës, edhe kushëriri i tij, Dorian Rrapushi është paraqitur në polici dhe ka pranuar të vetëdorëzohet. Ata do të ndiqen penalisht për vrasje dhe plagosje me dashje. Ngjarja ndodhi në datën 14 qershor, pasi prej ditësh Duda kishte pasur debate me Fatjon Çelën, i cili mbeti i vdekur nga sulmi me thikë, si dhe u plagosën vëllezërit Klodjan dhe Taulant Allmuça, të cilët morën plagë të lehta. Ditën e ngjarjes, Duda dhe Rrapushi ishin përplasur sërish me tre të dëmtuarit dhe i kishin goditur me thikë. Sipas policisë, kjo është pranuar si nga Duda, por edhe nga 18-vjeçari Rrapushi, i cili ka rrëfyer sesi kishte ndodhur gjithë ngjarja. Krimi i rëndë ndodhi kur dy grupe të rinjsh u grindën me njëri-tjetrin dhe më pas gjithçka përfundoi në përleshje me fund tragjik për Çelën. Policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, nga veprimet e para hetimore, u arrit identifikimi në një kohë të shpejtë, i njërit prej autorëve të ngjarjes dhe disa ditë më vonë u identifikua edhe Rrapushi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›