Berisha: Do të ndërtojmë 15 hidrocentrale
Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë turit të tij elektoral, në kuadër të zgjedhjeve të 28 qershorit, ka ndalur gjatë ditës së sotme, në qytetin minator të Bulqizës. "Mirënjohje të thellë për ju qytetarët e Bulqizës, tha Berisha, për mbështetjen që i keni dhënë dhe i jepni qeverisë time. Në këto katër vite, qeveria investoi për Bulqizën 5.6 miliardë lekë, ose 10 herë më shumë seç investoi qeveria socialiste për 8 vjet të qeverisjes së saj". Më tej ai ka renditur si suksese të qeverisë së tij, investimet për ndërtimin e 9 ujësjellësve, 12 shkollave, 18 ambulancave, si dhe inaugurimin e segmentit të parë të Rrugës së Arbrit prej 20 kilometrash, Bulqizë-Ura e Çerenecit. Sipas Berishës, më 18 qershor, u tenderua segmenti tjetër i Rrugës së Arbrit, ai Bulqizë-Klos dhe brenda vitit do të tenderohet edhe ai Klos-Tiranë. "Rruga e Arbrit, është rruga tjetër (pas asaj Durrës-Kukës-Morinë), më e madhe e kombit, që ju bashkon ju me Tiranën, duke e bërë Bulqizën një rreth me perspektivë të madhe". Një tjetër perspektivë për Bulqizën, vijoi ai, është edhe ndërtimi i 15 hidrocentraleve me fuqi 51 megavat. Në katër vitet që do vijnë, tha ai, qeveria ime, do bëjë që Bulqiza dhe gjithë Shqipëria, të kenë fytyrën e bukur europiane që meritojnë.