21 vite te OKB ne Shqiperi

Dita e Kombeve të Bashkuara është përkujtuar në një mënyrë të veçantë në Bashkinë e Tiranës. Si simbol i prezencës 21 vjeçare të OKB në Shqipëri, në rrugën “28 Nëntori”, pranë Kullës së Sahatit janë mbjellë 21 pemë. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishte e pranishme zv/Kryetarja e Bashkisë së Tiranës z. Jorida Tabaku, koordinatorja e përhershme e OKB-së në Shqipëri Zineb Touimi - Benjelloun si dhe drejtues të agjencive të tjera të OKB në Shqipëri.
Zonja Tabaku ka shprehur mirënjohjen për ndihmën që OKB i ka dhënë Shqipërisë, përmes një numri të madh projektesh të realizuara gjatë këtyre viteve, në nivel kombëtar por edhe lokal.
“Sot, në 21 vjetorin e prezencës së OKB, me iniciativën e Zyrës së OKB në Tiranë, ne planifikuam vendosjen e 21 pemëve në këtë rrugë kryesore të qytetit, për të simbolizuar 21 vitet e bashkëpunimit të ngushtë që Shqipëria ka me Kombet e Bashkuara, 21 vite punë dhe bashkëpunim të cilat janë reflektuar në shumë projekte të përbashkëta në nivel kombëtar por njëkohësisht edhe në nivel lokal. Unë shpresoj se kjo iniciativë që ne nisëm sot, të jetë një iniciativë e përvitshme, një iniciativë e mbështetur nga Zyra e Kombeve të Bashkuara, këtu në Tiranë dhe Bashkia e Tiranës do të ketë disponibilitetin maksimal, në mënyrë që të ofrojmë edhe hapësira të tjera, për të realizuar aktivitete të ngjashme.
Gjej rastin këtu, për të falenderuar zonjën, për bashkëpunimin që kemi pasur në fusha nga më të ndryshmet, duke filluar që nga mbështetja që Zyra e OKB-së po i jep Bashkisë së Tiranës për ngritjen e njësisë dhe mekanizmit të mbrojtjes kundër dhunës ndaj grave, duke vazhduar me konsulenca, duke vazhduar me asistencën teknike që po japin në pjesën e hartimit të Planit Urbanistik dhe të konsultimeve publike për buxhetin. Unë shpresoj që ky bashkëpunim pas 21 vitesh, të jetë akoma edhe më i fortë dhe njëkohësisht ta zgjerojmë këtë edhe në fusha të tjera” – u shpreh zv/kryetarja Tabaku.
Përfaqësuesja e OKB Zineb Touimi – Benjelloun tha se OKB do të mbështesë fuqimisht Shqipërinë, për një mjedis të qëndrueshëm.
“Jemi shumë të lumtur që ndodhemi sot këtu, për të festuar Ditën e Kombeve të Bashkuara. Dita e Kombeve të Bashkuara festohet çdo 24 tetor, që nga viti 1945, kur OKB u krijua. Jemi të lumtur që ndodhemi këtu, për mbjelljen e këtyre 21 pemëve, të cilat simbolizojnë 21 vite bashkëpunim mes Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë së Shqipërisë, një bashkëpunim shumë i suksesshëm. Gjithashtu, shpresojmë që kjo iniciativë të inkurajojë edhe më tepër një mjedis të qëndrueshëm, gjë të cilën ne promovojmë vazhdimisht dhe për të cilën Shqipëria është një mbështetëse e fuqishme”, u shpreh ajo.