21 vjetori i themelimit të PD, Topalli në Pukë: Ishte shpresa për një Shqipëri ndryshe – 100 vjetori i Pavarësisë na gjen më pranë idealeve Evropiane

Qyteti i Pukës ka përkujtuar 21 vjetorin e lëvizjeve antikomuniste dhe themelimin e Partisë Demokratike, të parës forcë politike opozitare në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit dhe njëherazi nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli përshëndeti qytetarët pukjanë për mbështetjen që i kanë ndër vite PD-së, ndërsa e cilësoi 21 vjetorin e themelimit të PD si një ditëlindje të shënuar për Shqipërinë. “Gëzuar lindjen e Partisë Demokratike në rrethin e Pukës! Padyshim çdo datëlindje është një festë dhe si festë është e bukur. Datëlindja na kujton lindjen dhe siç do lindje në botë, lindjet janë të vështira, aq më tepër pas gjysmë shekulli të 50 viteve represioni mizor. Lindja e partisë së parë të të drejtave dhe lirive të njeriu kaloi përmes një procesi të vështirë. Lindi pasi kishte lënë një periudhë të çmendur, të një shekulli të çmendur, të një shekulli me numrin më të madh të burgosjeve, të dënimeve, pushkatimeve, në përqindje me popullsinë dhe i’a kalonte ndoshta Bashkimit Sovjetik të asaj kohe. Lindja e degës së Partisë Demokratike këtu në Pukë, ashtu siç ishte lindja e degëve në Shkodër, Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Korçë dhe në çdo vend të territorit tonë të dashur. Ishte shpresa për një Shqipëri ndryshe, ishte shpresa për një flamur krenar, ishte shpresa për të pasur më shumë dinjitet dhe kush më shumë e justifikoi premtimin dhe ëndrrën e asaj kohe sesa kjo parti e drejtuar nga Sali Berisha”- u shpreh Topalli. Sipas saj, të gjithë të rinjtë, ata që guxuan, ata që dolën të parët në një kohë të vështirë, në një kohë që kërkonte kurajo, do të përmbyste epokat dhe do të hapte një kohë tjetër. “Ju ishit në krye! Ju nuk e braktisët asnjëherë PD-në, as në ditët e vështira të 1997 dhe për këtë unë do të falënderoja me gjithë zemër secilin prej jush”- tha Topalli.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se ky vit është viti jubilar i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas saj, në 100 vjetorin e themelimit të shtetit, është koha për përkujtimin dhe nderimin e figurave historike që janë flijuar për lirinë e kombit, të cilëve, diktatura komuniste u mohoi cdo kontribut, madje duke i fshirë nga tezat historike. “Kjo datëlindje sivjet përkon me atë që është viti jubile i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Unë dua të falënderoj të gjithë ata që kanë përgatitur këtë pritje të jashtëzakonshme në Pukë, të veshur me ngjyrat e flamurit tonë Kombëtar. Është një moment në të cilin ne festojmë. Padyshim kemi një moment reflektimi dhe një moment meditimi mbi atë se cila ka qenë historia jonë. 100 vjet shtet, 100 vjet përpjekje, 100 vjet në të cilat ne mund të numërojmë pafund numrin e kryengritjeve. Unë sot së bashku me ju do të doja të kujtoja padyshim kryengritësit e Malësisë, me në krye Dedë Gjo Lulin, kryengritësit e Kosovës me në krye Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Dom Ndrekë Kaçorrin. Do të doja të kujtoja firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë të cilët për herë të parë vetëm pas viteve 1990, ne shqiptarët do lejoheshim që t’i shihnim firmat e tyre. Firmat e tyre ishin zhdukur, ishin fshirë me gomë. Në Aktin Themeltar të ndërtimit të shtetit shqiptar ishin fshirë emrat e atyre që kishin guxuar. Imagjinoni një moment një Shqipëri e pushtuar, një Shqipëri që ishte gati në gojën e serbit, malazezit, grekut, italianit dhe të forcave të tjera që kishin bërë të gjitha planet për ta copëtuar përfundimisht Shqipërinë. Të gjithë e dimë se vetëm në shekullin e kaluar ne kemi humbur rreth 2/3 e territorit tonë. Në 100 vitet e fundit kemi humbur, kur morën Kosovën, lart nga veriu, nga Mali i Zi, morën Kosovën, morën nga pjesa e Ohrit, morën poshtë nga jugu i Shqipërisë 2/3 e vendit tonë. Ndaj them që ky 100 vjetor është një moment reflektimi dhe meditimi. Padyshim që data 28 është e njëjta datë, e të njëjtit muaj nëntor, por të dy periudhave që ndahen në distancë prej 600 vitesh. E para, ishte Lidhja Shqiptare në Lezhë. E dyta, ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit që finalizohet me ngritjen e flamurit. Nëqoftëse mendojmë gjatë këtyre 100 viteve sesa kohë kemi pasur për të ndërruar dhe për të ndërtuar shtetin tonë. 46 vjet diktaturë, 3-4 vjet Lufta e Parë Botërore, po aq vite Lufta e Dytë Botërore ku në total shkojmë 39 vjet, pra periudha 1920-1939, sepse pastaj fillon pushtimi. Këtu mbyllet përpjekja e parë dhe ne duhet të kemi një mirënjohje ndaj Mbretit Zog që ishte lider në kuptimin e vërtetë të fjalës. Historia jonë e shtetit është e vitit 1990 dhe deri sot. Në 20 vite në jetën e njeriut nuk them se janë pak, por 20 vite në historinë e një kombi, me një histori mijëvjeçare është pak, shumë pak. Një rrugë në të cilën ne kemi bërë transformimet më dramatike, më të jashtëzakonshme,më të paimagjinueshme, dhe këtë e kanë bërë qytetarët, vëllezërit tanë. Në 20 vite ne kemi bërë të mundur që Shqipëria të kalojë nga një mesatare të të ardhurave 200 dollarë në të ardhura 8 mijë dollarë. Në 20 vite në të cilat Shqipëria është bërë anëtare e KE-së, OSBE-së, anëtare e Organizatave Ndërkombëtare Ekonomike dhe sot anëtare me të drejta të plota të NATO-s. Duke jetuar këtë kohë, ne realisht nuk e realizojmë se për sa kohë, sa influencë dhe sa ndikim do të ketë anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Më besoni që është garancia më e madhe për lirinë dhe sigurinë tonë, si vend, dhe si komb. Më besoni, influenca dhe ndikimi i këtij anëtarësimi pozitiv në NATO mund të zgjasë në historinë tonë dhe në të ardhmen tonë ndoshta dhe në dhjetra dekada për të na garantuar që ne e kemi pasur të munguar për shumë kohë”- tha më tej ajo.