Kosovë - Rikthehet qarkullimi i automjeteve në Merdare. Reagon Qeveria: Mbështesim aksionet e Policisë

- Protesta e “Vetëvendosjes” degjeneron në dhunë kundër forcave të Policisë
- Arrestohen disa deputetë të lëvizjes "Vetëvendosja" dhe dhjetëra protestues
- Qeveria e Kosovës: Forcat e Policisë, profesionale në respektimin e ligjit
-- Rroga e bllokuar Merdare – Besianë nga turma e protestuesve të “Vetëvendosjes”, është liruar për automjetet, pas ndërhyrjes së Policisë. Ndërkohë, përmes një komunikate për shtyp, Policia informoi se janë arrestuar disa deputetë të “Vetëvendosjes” dhe dhjetëra protestues, të cilët i janë përgjigjur me sende të forta thirrjeve të Policisë për mbylljen e tubimit dhe lirimin e aksit rrugor, pranë pikës doganore
UPDATE- Policia e Kosovës, ka mundur të shpërndajë turmën e protestuesve, të cilët ndodheshin në rrugën Besianë – Merdarë. Policia njofton se tashmë kjo pikë kontrollohet nga forcat e policore. Mediat kosovare bëjnë me dije se në vendngjarje ndodhen edhe ambulanca, pasi gjatë ndërhyrjes së policisë për shpërndarjen e protestuesve është lënduar një polic dhe disa protestues. Ndërkohë, policia bën me dije se ka nisur aksionin për shpërndarjen e protestuesve edhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë. Nënkryetari i “Vetëvendosjes”, Shpend Ahmeti është arrestuar nga policia e Kosovës, raporton “Express”. Po ashtu mediat kosovare thonë se janë arrestuar deputetë të “Vetëvendosjes” në dy pikat kufitare si deputeti Glauk Konjufca, deputeti Liburn Aliu, deputeti Visar Ymeri, si dhe aktivistët Ismajl Kurteshi, Boiken Abazi, Aida Dërguti, Alban Krasniqi, Kushtrim Morina, Premton Ibërdemaj. Kurse në Besianë është arrestuar deputeti Afrim Hoti, Taulant Kurti, deputetja Albana Gashi, Blerim Sallahu. Ndërkohë ka ardhur dhe reagimi i parë nga ana e qeverisë së Kosovës.
Në një komunikatë të saj thuhet se qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për veprimet e dhunshme të lëvizjes “Vetëvendosje”, të drejtuara kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët janë në mbrojtje të rendit dhe ligjit.
Qeveria e Kosovës i bën thirrje krerëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” që të shmangen nga përdorimi i dhunës dhe përpjekjet për të penguar lëvizjen e lirë të garantuar me Kushtetutën e Kosovës, thuhet në komunikatë.
Më tëj, thuhet se Qeveria e Kosovës qëndron fuqishëm në mbështetje të Policisë së Kosovës, e cila me profesionalizëm, është duke mbajtur nën kontroll të plotë situatën./AbcNews
Ora 14:30, Podujevë. Protesta e “Vetëvendosjes” degjeneron në dhunë kundër forcave të Policisë
Protesta e lëvizjes “Vetëvendosje” e paralajmëruar në një tubim paqësor, ka degraduar në dhunë mes protestuesve dhe forcave të Policisë. Policia ka kërkuar largimin e tyre duke i lënë vetëm 5 minuta kohë. Gaz lotsjellës është lëshuar nga ana e policisë së Kosovës, ndërsa protestuesit kanë qëlluar me gurë. Disa aktivistë të “Vetëvendosjes” janë arrestuar ndërkohë që ende nuk mund të behet i ditur numri i saktë i tyre. Ndërsa burime fllimisht nga lëvizja “Vetëvendosje” pretenduan se lideri Albin Kurti është arrestuar, lajm ky i cili u përgënjeshtrua zyrtarisht nga policia vetëm pak minuta më vonë. Turma e protestuesve është shpërndarë pas ndërhyrjes së forcave policore, ndërsa situata po shkon drejt normalizimit. Raportohet që t tjerë të arrestuar të cilët janë: Hysen Durmishi, Salih Zyba, Gani Krasniqi, Naser Shatri, Fisnik Ismajli, Blerim Manqastena, Durim Jasharaj, Skënder Mërturi dhe disa aktivistë të tjerë.
Në një komunikatë për shtyp Policia e Kosovës, thotë se pas bllokimit të rrugës nga ana e protestuesve në hyrje të Podujevës, rreth orës 14:12 min Policia e Kosovës ka urdhëruar protestuesit që brenda 15 minutave ta lirojnë rrugën për qarkullim te lire te qytetareve dhe mallrave, duke i sqaruar se bllokimi i rrugëve dhe pengimi i lirisë se lëvizjes është veprim i kundërligjshëm i cili nuk do te tolerohet nga Policia. Me tej në komunikatën e policisë thuhet, se policia është detyruar që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për hapjen e rrugës dhe sigurinë e lëvizjes së lirë. Si pasojë e rezistencës nga ana e protestuesve Policia e Kosovës ka përdorur gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës, me qëllim të vënies së situatës nën kontrolle dhe sigurisë së lëvizjes së lirë. Gjatë ndërhyrjes policore janë ndaluar deri në këto momente tetëmbëdhjete, (18), persona të cilët janë shoqëruar në stacionin policor për procedure të mëtejshme hetimore. Ndërkohë janë dhe 10 policë të plagosur.
Pavarësisht kritikave dhe thirrjeve për të mos e zhvilluar aksionin në pikat kufitare, Lëvizja “Vetëvendosje” nisi rreth orës 13:00 protestën e paralajmëruar në dy pikë kalimet kufitare me Serbinë, për të ndaluar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë. Më herët, aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” bënë me dije se protesta është paqësore. Ndërkohë që burime nga vendngjarja bëjnë me dije se dy kamione nga Serbia kanë mbetur në Merdarë dhe nuk janë lejuar të kalojnë, ndërkohë që po mbahen nën mbikëqyrjen e autoriteteve policore. Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti i ka bërë apel protestuesve të mos provokojnë Policinë e Kosovës. Kurti ka realizuar një takim me krerët e policisë për të gjetur një rrugë të përbashkët. Një numër i madh i protestuesve ndodhen rrugës për në piken kufitare në Merdarë për të realizuar qëllimin e tyre pa penguar lëvizjen e lirë. Shpent Ahmeti një prej drejtuesve të lartë të Lëvizjes “Vetëvendosjes” ka bërë me dije deri tani asnjë automjet nga Serbia nuk ka kaluar. “Jemi në grupe, përderisa nuk kalon asnjë automjet nga Serbia mund të rrimë këtu ditë e natë”- është shprehur Ahmeti. “Policia është e jona, dhe kjo është protestë paqësore. Nuk kemi asnjë mjet për të përdorur këtu. Ne jemi republikë parlamentare dhe duam të fuqizojmë shtetin e Kosovës. Ajo që po bën qeveria është një grusht shteti dhe jo kjo që po bëjmë ne” ka shtuar Ahmeti. Sipas “Vetëvendosjes” janë rreth 2 mijë aktivistë që ndodhen në këtë zonë.
Ora 13:00 - Merdare. Albin Kurti: Reciprociteti u arrit, të mos ushtrohet dhunë ndaj policisë
Lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim para protestuesve ku ka thënë se asnjë polic të mos preket sepse ata arritën qëllimin e tyre, masat e reciprocitetit me Serbinë. Sipas Kurtit, që nga dita e sotme e protestës asnjë kamion serb nuk është futur në Kosovë dhe ky ishte qëllimi i tyre. Ai ka përsëritur disa herë që mos të preket asnjë polic i Kosovës me dorë dhe se protesta të jetë sa më paqësore. Ndërkohë protestuesit janë duke kënduar këngën “Besa Besë” dhe parulla të ndryshme. “Serbia e cila i mba 1800 trupa të pa jetë, Serbia e cila nuk ka dhënë as fondet pensionale dhe asgjë tregon më së miri se Serbia dëshiron të bllokojë sa më shumë shtetin e Kosovës”, ka thënë Kurti. Kurti ka thënë gjithashtu se do të lejojë të gjithë automjetet e shqiptarëve nga Kosova që vinë nga shtetet perëndimore do të kalojnë, por jo ato serbe. Në të njëjtën kohë disa kamionë me prodhime vendore të Kosovës janë lejuar nga "Vetëvendosje", po kështu edhe automjetet me targa të republikës së Kosovës nuk janë ndaluar, por është lejuar të kalojnë pa problem.
Ora 11:30 - Drejt Merdares autobusë nga Tirana, Struga, Tetova, Shkupi, Gostivari dhe Kërçova
Krerët e “Vetëvendosjes” kanë ftuar shqiptarët nga e gjithë Kosova, por edhe nga vendet fqinje – Shqipëria e Maqedonia, që të bashkohen në pikat kufitare, për të bllokuar mallrat serbe. Ata thanë se Policia e Kosovës i ka këshilluar që të afrohen jo më shumë se 100 metra larg pikës kufitare në Merdarë, që përbën si duket edhe kufirin e fundit për vendndodhjen e protestës. Ajo çfarë policia ka lënë të kuptohet është se nuk do të tolerojë bllokimin e rrugës, për të cilën lëvizja ka thënë se do të bllokojë vetëm mallrat serbe dhe jo lëvizjen e lirë të qytetarëve. Në pikën e kalimit kufitar në Morinë, janë bllokuar autobusët me përkrahës të Vetëvendosjes që donin të vinin në Kosovë për të ndihmuar atë në bllokimin e pikave kufitare me Serbinë./Koha Ditore
...