Berisha takon kongresmenin Chabot: SHBA, mbështetje të pakursyer për integrimin euroatlantik të Shqipërisë

“SHBA kontribut vendimtar në çlirimin e Kosovës nga okupimi i regjimit të Millosheviçit dhe pavarësimit të saj”
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot pasdite, një takim me kongresmenin amerikan Steve Chabot, i cili është njëkohësisht dhe kryetar i nën/Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë për Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, në Kongresin Amerikan. Kongresmeni Chabot shoqërohej në këtë takim edhe nga ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, zoti Aleksandër Arvizu.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha e falenderoi z. Chabot për mbështetjen e vazhdueshme dhe të jashtëzakonshme që SHBA-të, qeveria e saj dhe Kongresi Amerikan i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjatë gjithë këtyre viteve, në përpjekjet e saj për të ndërtuar lirinë dhe demokracinë të bazuar në tregun e lirë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha i shprehu kongresmenit Chabot, mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve për mbështetjen dhe kontributin vendimtar të SHBA-ve, në çlirimin e Kosovës nga okupimi i regjimit të Millosheviçit dhe pavarësimit të saj, por edhe në realizimin e arritjes më të madhe historike të Shqipërisë, pas pavarësisë së saj, anëtarësimit në NATO.
Kongresmeni Chabot e falenderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe e siguroi atë, se SHBA-të vlerësojnë lart marrëdhëniet me Shqipërinë dhe se u janë mirënjohës shqiptarëve për mbështetjen që ata i kanë dhënë dhe vazhdojnë ti japin SHBA-ve dhe NATO-s, në misionet ndërkombëtare, në luftën kundër terrorizmit dhe në shërbim të paqes, si në Afganistan dhe më gjerë.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve dhe u rikonfirmua vendosmëria e tyre për të vijuar dhe zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e rëndësishëm që SHBA-të kanë dhënë në Shqipëri, përmes programit të “Sfidës së Mijëvjeçarit” në sektorë të rëndësishëm nëpërmjet projekteve për dixhitalizimin e procedurave dhe luftës kundër korrupsionit, si realizimi i prokurimeve elektronike, regjistrimi elektronik i biznesit, taksat elektronike, etj.
Me tej, kryeministri Berisha e njohu kongresmenin Chabot me reformat e thella dhe te gjithanshme të realizuara në Shqipëri gjatë kësaj periudhe, për zhvillimin ekonomik të vendit, lehtësimin e klimës së biznesit, luftën kundër korrupsionit, realizimin e veprave të rëndësishme infrastrukturore, energjetike, reformat në fushën e arsimit, etj. Në këtë kontekst, kryeministri përmendi disa arritje të rëndësishme, si ndërtimin e 9 mijë kilometrave rrugë të reja në të gjithë vendin, rritjen me 316 % të investimeve të huaja në hark kohor 4 vjeçar, mbi dhjetëfishimin e numrit të turistëve që vizitojnë tashmë Shqipërinë, krahasuar me vitin 2004, etj. “Këto dhe të tjera reforma- u shpreh Kryeministri Berisha - bënë të mundur marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE dhe heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë si dhe mundësojnë sot, ecjen përpara të vendit me vendosmëri, për realizimin e projektit më madhor të shqiptarëve për këtë shekull, anëtarësimin në BE”. Kongresmeni Chabot i shprehu kryeministrit Berisha përgëzimet më të sinqerta për të gjithë këto rezultate dhe vlerësimin e tij më të lartë për politikat e suksesshme financiare të qeverisë shqiptare, në veçanti vendosjen e taksës së sheshtë 10 % dhe krijimin e klimës më të përshtatshme për biznes dhe investime. Pas takimit, kryeministri Berisha shtroi një darkë për nder të kongresmenit Chabot dhe delegacionit që e shoqëronte, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.
...