214 mijë shqiptarë dorëzojnë kartat e debitit
Shqiptarët kanë dorëzuar apo nuk kanë rinovuar rreth 214 mijë karta debiti dhe rreth 500 karta krediti gjatë tre muajve të parë të këtij viti, bëhet e ditur nga statistikat që publikon Shoqata Shqiptare e Bankave. Numri i kartave bankare në qarkullim u ul në mënyrë dramatike me më shumë se një të tretën. Në dhjetor, në qarkullim kishte 735 mijë karta bankare, nga të cilat 718 mijë qenë karta debiti, ndërsa 17 mijë kishin funksione krediti. Në fund të marsit, numri i kartave total ra në 520 mijë. Shkaku i uljes së numrit të kartave lidhet më së shumti me vendosjen masive të komisioneve mujore të mirëmbajtjes nga ana e bankave gjatë vitit 2008. Pasi premtuan shërbime bankare bazë pa kosto në vitet 2000, rritja e biznesit të furnizuar me mekanizma ligjorë nga qeveria, i shtyu bankat të vendosin komisione apo t‘i rrisin ato. Sot të gjitha bankat zbatojnë komisione bankare më vete për llogari rrjedhëse dhe për kartë bankomati. Kalimi i pagave të sektorit publik përmes bankave, si dhe urdhri për kryerjen e të gjitha pagesave të biznesit me urdhërxhirim, ka majmur të ardhurat e bankave nga komisionet për shërbime. Kjo gjë solli edhe rritjen e shpejtë të numrit të kartave të debitit në qarkullim në Shqipëri, karta që më së shumti kanë funksionuar vetëm për tërheqjen e parave në bankomate. Numri i dyqaneve që pranojnë pagesa me kartë është shumë i vogël, ndërkohë që kartat që qarkullojnë në Shqipëri në shumicë dërrmuese nuk mund të përdoren për pagesa në internet. Për pasojë, shumë shqiptarë nuk po e ndiejnë më të nevojshme mbajtjen e një karte bankare dhe pagesën e komisioneve mujore për të. Nën stresin e humbjes së klientëve, shumë banka po ushtrojnë presion kundrejt punonjësve për të thithur klientë në rinj.