E Shtunë, 31 Tetor 2026

21.6 miliardë tonelata borë

Për javë të tëra Gjermania po jeton me një bllokadë të pashënuar bore. Për herë të parë pas një periudhe të gjatë kohore, borë ka pasur që nga Alpet në jug, e deri te Deti baltik, në veri. Meteorologët paralajmërojnë të reshura të reja bore.

Shërbimi meteorologjik i Gjermanisë, me seli në Offenach, publikoi disa të dhëna mjaft interesante statistikore. Meteorologët thonë se Gjermaninë momentalisht po e rëndojnë 21.6 miliardë tonelata borë.

Po të shndërrohet në ujë, kjo sasi e borës do të mjaftonte që të mbushej gjysma e Liqenit të Bodenit, i cili shtrihet në rreth 536 kilometra katrorë. Mesatarisht, çdo metër katror mbulohet nga 60 kilogramë borë.

Meteorologët gjermanë erdhën deri te këto të dhëna në bazë të të dhënave të fituara nga plot 1,700 stacione të matjes.

Ekspertët ndërkaq paralajmërojnë se Gjermania edhe në ditët në vazhdim do të jetë “cak” i fjollave të shumta të borës, ngase ata presin të reshura të reja. Pritet që mesatarisht për një metër katror të bie rreth 1.6 kilogramë borë e re – gjegjësisht edhe 570 milionë tona borë.

Të reshurat e borës që nuk mbahen mend më së shumti probleme shkaktuan në komunikacion, e në veçanti “e pësuan” kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve, ngase mbetën pa kripë në mes të dimrit.

Javorja gjermane ‘Stern’ njoftoi se deri më tani janë shpenzuar 250,000 tona kripë, që është dyfish më tepër në krahasim me ndonjë dimër të butë.
“Disa qytete po gjende në mënyra të ndryshme për të siguruar sasi shtesë të kripës. Kështu, për shembull, qyteti Hidelberg ka porositur kripë nga Serbia, me një çmim prej 195 euro për tonë, edhe pse çmimi i zakonshëm është 80 euro”, shkruan ‘Stern’.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›