23 deputetë socialistë, në parlament për të zhveshur Edvinin nga pushteti i pakontrolluar në parti
Nisma për t’u kthyer në parlament me synimin e përkrahjes së reformave që e afrojnë vendin me BE-në po shoqërohet me kërkesat për të arritur një marrëveshje për ndryshimin e kushtetutës, e cila do t’i hiqte Edi Ramës pushtetet politike që po i përdor në mënyrë jopolitike. Deri më tani, nismën e Islamit e kanë përkrahur edhe 22 deputetë të tjerë të PS-së, ndërkohë që për përcaktimin e afatit kohor është mbajtur një takim joformal mes Ben Blushit dhe Gramoz Ruçit
Arroganca që ka mbërthyer gjatë vitit të fundit qiraxhiun politik në krye të Partisë Socialiste duket se ka gjetur një kundërilaç tek shumica e politikanëve socialistë të karrierës, të cilët duket se kanë vendosur të futen në parlament, me synimin e vetëm për të krijuar një shumicë të re reformatore, mundësisht edhe për ndryshimin e kushtetutës së vendit, e cila do t’i hiqte Edvinit atë pushtet politik që po e përdor në mënyrë krejt jopolitike. Burime pranë asamblesë së Partisë Socialiste bënë të ditur mbrëmë për gazetën “55” se kishte mbërritur në 23 numri i deputetëve të cilët janë të gatshëm t’i bashkohen një nisme parlamentare për ndryshimin e sërishëm të kushtetutës së vendit, si një investim që do të mbronte disi karrierën e tyre politike nga paparashikueshmëria e një kryetari dhe e një politike që është në depresion. Nisma parlamentare natyrisht që do të regjistronte edhe fundin e bojkotit të pakuptimtë që po çon prej më shumë se dy muajsh lidershipi i Partisë Socialiste.
I mësuar të bëjë politikë veç jashtë parlamentit dhe për më tepër me mjete të shantazhit ekonomik si lejet e ndërtimit apo planet urbanistike, Edvinit tashmë do t’i duhet të bëjë llogaritë edhe me ato rezultate të ngushta politike që i mendonte si të pandryshueshme dhe që i jepnin pushtet brenda strukturës partiake. LSI ka shpallur si prioritet të vetin angazhimin për ndryshimin e kushtetutës dhe eliminimin e atyre drojave paraelektorale që duket se e cenuan performancën e saj në zgjedhje dhe ky vullnet po shkon në të njëjtën linjë edhe me interesimin e 23 deputetëve socialistë (numër provizor që pritet të rritet), të cilët tashmë s’kanë mundësi të tjera veç të sillen si një fraksion politik dhe të mbrojnë interesat e karrierës së tyre politike. Në korridoret e PS-së dje kishte një shqetësim të fortë, edhe për shkak të njoftimeve se Gramoz Ruçi, njëri nga mbështetësit më kontroversë të Edi Ramës kishte patur një takim me Ben Blushin pikërisht për këto tema dhe duket se në PS tashmë s’ka më veç përkrahës të Edvinit e kundërshtarë të tij, por politikanë të arsyeshëm që nga motive të ndryshme po mundohen të mbrojnë interesat e tyre politike. Kështu 23 deputetët e gatshëm të thyejnë urdhrin personal të Edvinit, me kushtin e marrjes së disa koncesioneve politike, që në radhë të parë duket se do të garantojnë karrierën e tyre politike edhe për legjislaturën e ardhshme, e ndoshta mund t’i ndihmojë edhe në përzgjedhjet paraprake për vendoret e 2011-s, pritet të shoqërohen edhe nga analizat e ruçi-stëve, të cilët duket se janë njohësit kryesorë të strukturave partiake dhe do t’u duhet të maten mirë, nëse duan të marrin qendrime përfundimtare lidhur me të ardhmen e tyre politike. Deputeti Kastriot Islami dje e tha qartë se motivi i përkrahjes së reformave që do ta afronin vendin me BE-në, posaçërisht do të lehtësonin procesin e heqjes së vizave të udhëtimit për vendet e hapësirës Shengen, por motivi mund të jetë i ngjashëm jo vetëm për 22 deputetët që i janë bashkuar të njëjtës kauzë, por edhe për ruçi-stët, të cilët tashmë duket se kanë nevojë të vendosin se cilin projekt politik të tutorojnë... Merret vesh se përkrahja e Grupit të Pezës nuk po sjell përfitimet e duhura politike, veçanërisht me praktikat përjashtuese nga pushteti dhe strukturat kolegjiale ku ndahen buxhete e fonde, prandaj edhe ngjan se politikat përbashkuese të Ben Blushit, Arben Malajt, Kastriot Islamit dhe të të tjerëve ngjajnë më joshëse se frazat përjashtimore të Shalësit, Xhaçkës, Tahirit e të të tjerëve, që deri më tani dinë veç rregullsinë diktatoriale të bashkisë së Tiranës.
Zyrtarizimi i nismës së 23 deputetëve për t’iu kthyer parlamentit pritet të paraprihet nga një promemorie politike në strukturat partiake, por edhe nga arritja e një konsensusi politik në distancë me palën tjetër në parlament, e cila në fund të fundit ka në dorë të japë garancitë e nevojshme për arritjen e numrit 94, numrit magjik që mundëson ndryshimin e kushtetutës dhe zhveshjen e Edvinit nga pushtetet politike që po i përdor papërgjegjshmërisht në mënyrë jopolitike.