Jep dorëheqjen Ahmet Prençi, qeveria emëron Hysni Burgajn
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha prezanton sot Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit
Këshilli i Ministrave pranon dorëheqjen nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Dorëheqja e Prençit, për arsye shëndetësore, është pranuar dhe në mbledhjen e saj, qeveria vendosi të emërojë në vend të tij, drejtorin e ri, Hysni Burgaj, i cili mbante postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, përgjegjës për shërbimet mbështetëse. Ahmet Prençi ka drejtuar policinë e shtetit që prej dy vjetësh ku mori detyrën po me vendim qeverie në 30 shtator 2007, duke zëvendësuar Bajram Ibraj. Prençi është larguar për arsye personale dhe pritet të zerë postin e këshilltarit të Ministrit të Brendshëm.
Ndërkaq, sot në mesditë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, pritet të propozojë Drejtorin e ri, Hysni Burgaj.
Burgaj ka qenë komandant i postes së policisë në qytetin Studenti, më pas drejtor i policisë në Gjirokastër dhe në Kukës.
Ai ka lindur në vitin 1960 në Shkodër.
Hysni Burgaj ka përfunduar studimet në shkollën e Ministrisë së Brendshme në vitet 1981-1984.
Ai ka zhvilluar kursin e plotë të “Drejtimit dhe menaxhimit të lartë të Policisë”, organizuar nga Misioni PAMECA në vitin 2007.
Gjatë ecurisë në karrierë ka kryer një sërë trajnimesh dhe specializimesh si brenda dhe jashtë vendit nga organizata dhe organizma që asistojnë policinë shqiptare, si MAPE, PAMECA, etj. si dhe në vende të ndryshme të Evropës dhe në SHBA.
Ka një karrierë të gjatë policore.
Nga viti 1984 kur ka mbaruar studimet ka punuar në struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit. Në sajë të ecurisë së tij në karrierë ka fituar një eksperiencë të çmuar jo vetëm policore, por dhe menaxhuese dhe drejtuese.
Nisur nga përvoja dhe rezultatet e larta në detyrë është emëruar dhe ka punuar si Drejtor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës (dhjetor 2005-dhjetor 2007) dhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër (dhjetor 2007-korrik 2008).
Prej më se një viti, që nga 29 korriku i vitit 2008, ai është emëruar në detyrën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për Shërbimet Mbështetëse.
Me vendim të Këshillit të Ministrave të datës 28.10.2009 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Hysni Burgaj është tani drejtuesi më i lartë i Policisë së Shtetit.