E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çdo kërkesë për heqje imuniteti do të pranohet automatikisht nga ligjvënësit”

Aldo Bumçi rikonfirmon qëndrimin politik, propozon standard të ri për kufizimin e imunitetit

Pavarësisht se opozita nuk ka ndërmend të rikthehet në parlament dhe të japë konsensusin për reformat, mazhoranca do të iniciojë një standard të ri për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Përfaqësues të shumicës bëjnë me dije se në pamundësi për të vepruar institucionalisht për të gjithë deputetët, me vendosjen e standardit të ri, çdo kërkesë e bërë nga Prokuroria për heqje imuniteti do të jetë automatikisht e pranueshme. 

Në kushtet kur ndjekja e një rruge institucionale për çdo deputet apo zyrtarë të lartë, mazhoranca parlamentare ka gati një standard të ri, çka do t’ia lehtësojë punën legjislativit për t’iu përgjigjur pozitivisht çdo kërkese të organeve gjyqësore dhe prokurorisë. Shumica parlamentare mendon të ndërmarrë një nismë të re, pas përgjigjesh negative që opozita i bëri thirrjeve të mazhorancës për t’u rikthyer në parlament, për të miratuar reformat dhe ligjet e rëndësishme.
Në këtë drejtim, deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi deklaroi dje se çdo kërkesë e bërë nga Prokuroria për heqje imuniteti do të jetë automatikisht e pranueshme.
Në pamundësi për miratuar një ligj për heqjen e imunitetit të zyrtarëve nëse ata akuzohen për afera korruptive, Bumçi tha se mazhoranca është e detyruar të vendosë një standard të ri. Sipas kësaj iniciative automatikisht çdo kërkesë nga Prokuroria, për heqje imuniteti do të jetë e pranueshme.
“Në pamundësi për ta bërë në mënyrë institucionale për të gjithë deputetët, atëherë jemi të detyruar të vendosim t’i përgjigjemi pozitivisht dhe ky është qëndrim politik, çdo kërkese të organit të akuzës. Dhe kemi provuar që do ta bëjmë për çdo kërkesë dhe për çdo deputet për të cilin akuza mendon se duhet hetuar”, u shpreh deputeti demokrat, Aldo Bumçi.
Debatet rreth imunitetit u rikthyen përsëri në qendër të vëmendjes nga përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët vazhdimisht kanë bërë thirrje për heqjen e imunitetit, jo vetëm të politikanëve, por edhe të zyrtarëve të tjerë që e kanë atë. Kjo kërkesë është bërë nga ndërkombëtarët që, gjatë qeverisjes së socialistëve. Me ardhjen në pushtet të demokratëve kjo u kthye në një iniciativë ligjore, por që u hodh poshtë nga opozita, e cila e konsideroi antikushtetuese.          
Nisur nga ky fakt, mazhoranca e çoi çështjen në Komisionin e Venecias dhe në bazë të përfundimeve të këtij institucioni, ligji për heqjen e imunitetit, duhet të miratohej me konsensusin e të dyja forcave të mëdha politike.
Por sërish për këtë çështje nuk u arrit asnjë konsensus, dhe ajo çka është diskutuar për të është shoqëruar nga debate të ashpra nga ligjvënësit.  
Ndonëse opozita nuk pranoi të jepte votën ‘pro’ ligjit të imuniteteve, mazhoranca ndërmori një tjetër iniciativë, ajo vendosi të heqë dorë vullnetarisht nga imuniteti, por që sipas konsitucionalistëve, kjo nuk do të kishte efekte ligjore edhe pse do të ishte një nismë vullnetare.  
Vetë kryeministri Sali Berisha u shpreh pak ditë më parë se mazhoranca nuk do të njohë imunitet, por do t’i përgjigjet çdo kërkese të prokurorisë.
“Jam kundër çdo imuniteti. Kemi dërguar ligjin në parlament, opozita nuk e votoi atëherë do të praktikojmë qëllim të njëanshëm, që do të thotë se çdo kërkesë nga organet e prokurorisë dhe organet gjyqësore për heqjen e imunitetit do të jetë automatikisht e pranueshme. Askush nuk mund ta përdorë imunitetin për të mbuluar abuzimet, për të mbuluar shpërdorimet”, tha kryeministri.
Në përgjigje të kësaj socialistët kanë akuzuar kryeministrin dhe qeverinë se nuk ka vullnet për heqjen e imunitetit.
Në kushtet ligjore aktuale, heqja e imunitetit të deputetit mund të bëhet vetëm pas një kërkese zyrtare nga organi i akuzës. 
Leonard Quku

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›