Shqipëria në moshën dixhitale, detyrimi më madhor i administratës shtetërore
Qeveria nis reformën dixhitale, kryeministri Berisha kërkon ngritjen e kabineteve të IT-së në çdo ministri dhe dixhitalizimin e të gjitha procedurave. “Shqipëria në moshën dixhitale është detyrimi më madhor në programin e qeverisë, si leva e Arkimedit për të pasur një Shqipëri tjetër, qindra herë më transparente dhe më të shpejtë se Shqipëria e sotme”, theksoi shefi i Ekzekutivit
Kreu i qeverisë Sali Berisha u kërkoi dje ministrave dixhitalizimin e të gjitha procedurave dhe ngritjen e kabineteve të IT-së në të gjitha institucionet, duke planifikuar në buxhetin e vitit 2010 të gjitha projektet e IT-së. “Procedurat manuale apo jo dixhitale, janë të mundimshme, të kushtueshme, të ngadalta, jashtë kohe. Është e domosdoshme që, në përputhje me këtë përparësi, të ngrini në çdo ministri drejtorinë e IT-së dhe absolutisht, jo duke shtuar personelin, por duke ngushtuar dhe duke treguar se ka ardhur koha për dikasteret tuaja të kalohet në moshën dixhitale”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se ky do të jetë një proces nën monitorimin e ministrit të Shtetit Genc Pollo.
Duke e trajtuar si çështjen kryesore në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha tha se Shqipëria në moshën dixhitale është detyrimi më madhor në programin e qeverisë, si “leva e Arkimedit për të pasur një Shqipëri tjetër, qindra herë më transparente dhe më të shpejtë se Shqipëria e sotme”.
“Në rast se ne, vlerësojmë në këtë këndvështrim, domosdoshmërinë e mobilizimit të të gjitha potencialeve njerëzore dhe financiare, përparësimin mbi të gjitha përparësitë e tjera, ne do të realizojmë këtë projekt të madh, i cili do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në të gjithë jetën ekonomike, politike, kulturore, sociale e të gjithanshme të vendit”, tha Berisha.
Kryeministri theksoi se vendosja e procedurave dixhitale do të rrisë transparencën dhe cilësinë e shërbimit.
“Dixhitalizimi duhet të shtrihet në të gjitha aspektet duke nisur nga ndihma ekonomike, arkivi i trashëgimisë kulturore, e-learning në çdo qelizë të arsimit, zyrat e regjistrimit të pasurive, agjencinë e kthimit dhe kompensimit të pronave, në sistemin gjyqësor, regjistrimin e tokave etj. Bota dixhitale, është një univers i tërë. Kjo kërkon të mendojmë çdo ditë për të. Nëse do të luftosh korrupsionin në shëndetësi, fut dixhitalizimin, ku njerëzit regjistrohen dhe ta kenë radhën të përcaktuar në kompjuter dhe jo me ryshfet dhe me mik”, nënvizoi Berisha.
Shefi i ekzekutivit, shtoi se kjo qeverisje do të menaxhohet në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe nuk ka interes më të madh se ai të ketë shërbime të dixhitalizuara.
“Nuk ka interes më të madh për qytetarin shqiptar të shkojë në një sportel të vetëm dhe të marrë përgjigje për çdo gjë aty, të mos vijë aspak në dyert e ministrive, por të ketë një sportel në qytetin e tij, me të cilin ai komunikon me të gjithë qelizat e shtetit, merr çdo dokument, përgjigje a sqarim që i duhet. Nuk ka mënyrë më eficente të përdorimit të taksave të qytetarëve shqiptarë, sesa t’ia konvertojmë ato në një shërbim të tillë”, vijoi kryeministri.
Berisha vlerësoi se ekzistojnë të gjitha mundësitë që të tejkalohet mesatarja evropiane e penetrimit të IT-së, duke kërkuar përpjekje të fuqishme në këtë drejtim. Ai informoi se Ministri i Shtetit Genc Pollo do të drejtojë këtë reformë.