“Unë vota e 84-t, do të hyj në Parlament për interesat integruese të Shqipërisë”

Pas Ben Blushit dhe Andis Harasanit, edhe Kastriot Islami kërcënon Edi Ramën se do të thyejë bojkotin
Deputetëve Ben Blushi dhe Andis Harasani i bashkëngjitet edhe kolegu i tyre, Kastriot Islami që, rrit presionin ndaj kryesocialistit Edi Rama. Islami u shpreh se do të thyejë vendimin politik të Partisë Socialiste për bojkotin dhe do të kthehet në Parlament nëse vota e tij kushtëzon procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë një interviste televizive, Islami analizon zhvillimet e së majtës duke parë me shqetësim frymën përjashtuese që po ndjek kryetari Edi Rama, i cili sipas tij, drejton partinë me “SMS”.
Kjo frymë autoritariste dhe përjashtuese, interpretohet sipas Islamit si një prirje e rëndomtë e Ramës, për të shkatërruar PS-në dhe për të instaluar në të, një sistem politik të dëmshëm.
“Nëse Rama nuk heq dorë nga autoritarizmi dhe bllokon zërat ndryshe, PS-ja nuk vjen kurrë në pushtet, do të shkojë drejt degradimit total”, u shpreh Islami.
Ai tha se vota e tij do të jetë në parlament në çdo rast apo nevojë jetike për vendin.
“Në qoftë se vota ime do ishte e dobishme në Parlament e kam thënë, do e djeg edhe karrierën politike, në mënyrë figurative. E dyta, i kam përmendur një thënie të një anëtari të partisë naziste që kur duhet të ndiqte Hitlerin tha më mirë të jem tradhtar i ideologjisë së partisë se sa tradhtar i ndërgjegjes sime. Në qofte se do të ishte çështja e liberalizimit të vizave një çështje shumë sensitive dhe në qoftë se vota ime do të ishte e dobishme, pra do të ishte vota e 84-t, unë do hyja vetë dhe do jepja votën pro”, deklaroi Islami.