E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kamikazët” heronj që luftojnë kundër vdekjes së sigurt

Cunami dhe Kamikaz janë fjalë që bota i ka huazuar nga japonishtja. Të dyja në përmbajtje janë të tmerrshme. E para, një tërmet që pasohet prej dallgëve gjigante që brenda një dekade i kanë shkaktuar botës sonë vdekjen e qindra mijëra njerëzve në Indonezi e Japoni. E dyta, emri i pilotëve vetëvrasës që lëshoheshin mbi anijet aleate në Luftën e Dytë Botërore e që u bë simboli i terroristëve që hidheshin apo hidhen ende të armatosur me bomba mbi turma të pafajshme e po ashtu kanë sjellë qindra mijëra të vdekur. Por kataklizma si ajo e Japonisë ndryshojnë përfundimisht jo vetëm jetën e njerëzve që ato prekin por edhe vetë gjuhën. E nëse cunami do të mbetet fjala e rëndë për një katastrofë deri të paimagjinueshme, kamikaz ndoshta mund të marrë një kuptim krejt tjetër, pasi kështu sot po quhen “Ata” që luftojnë prej ditësh kundër katastrofës nukleare.

Media botërore njofton se të paktën 50 specialistë të energjisë bërthamore që po përpiqen të rimarrin kontrollin në centralin bërthamorë që kërcënon Japoninë dhe botën vështirë se do të mund t’i mbijetojnë punën nën rrezatim që e kalon deri 100 fish atë që mund të përballojë njeriu. Këta janë “kamikazët” e rij. Thuajse të gjithë ata, por edhe zjarrfikësit apo pilotët e helikopterëve që fluturojnë mbi centralin Fokushima e dinë që jeta e tyre nuk është thjeshtë në rrezik, por që në varësi të afërsisë me rrezatimin ata firmosin një vdekje thuajse të sigurt. Këta njerëz sidoqoftë nuk do heqin dorë dhe siç shkruan Time Magazine në përballje me vdekjen e sigurt ata do të shkojnë deri në fund edhe pse zgjidhja e situatës që rrezikon të shkaktojë një Çernobil të dytë me përmasa edhe më ekstreme është ende e paqartë. Ata janë heronjtë e Fukushima - dhe ndoshta viktima e parë e saj. Pesëdhjetë punëtorët anonim bërthamor  kanë qëndruar prapa për të shmangur një katastrofë e madhe bërthamore. Ata kanë të rrezikuar jetën e tyre. Dhe me çdo orë që kalon, ajo që po bëjnë  duket të jetë gjithnjë e më shumë një mision i pamundur.

Çfarë ndodh në Fukushima

Në centralin atomik të Fukushimës sipas ekspertëve po bëhet gjithnjë e më i mundur çlirimi i sasive të mëdha të substancave radioaktive në ambient. Sipas vlerësimit të Shoqatës Gjermane për Sigurinë e Reaktorëve (GRS) në Këln, as përdorimi i ujëhedhësve dhe as hedhja e ujit nga ajri me helikopter nuk mjafton. Zëdhënësi i GRS, Sven Dokter:

"Aktualisht, problemi kryesor konsiston në blloqet 3 dhe 4, ku duhet futur ujë në lavamanin e shuarjes. Këta janë lavamanët, në të cilët mblidhen elementet e djegura katodike, dhe në rastin e bllokut 4, ka edhe elemente të padjegura plotësisht."

Në rastin më fatlum, angazhimi i helikopterëve sjell vetëm një lehtësim afatshkurtër, pra ai është i mirë, por jo i mjaftueshëm. Për një stabilizim afatmesëm dhe ftohje të lavamanëve të tejnxehur të shuarjes në blloqet 3 dhe 4, sipas vlerësimeve të kujdesshme të ekspertëve duhet të përdoren deri 1.000 metra kub ujë dhe kjo duhet bërë sa më shpejt që të jetë e mundur. Por enët e shuarjes të fiksuara te helikopterët janë relativisht të vogla:

"Njëra nga enët e kuqe, që janë fiksuar nën helikopterë mban disa metra kub ujë. U fol për shtatë metra kub ujë. Pra do të kishim të bënim me shumë fluturime, aq më tepër që duhet ta kemi të qartë: kur e hedh ujin mbi reaktor, nuk mund të nisësh nga fakti se i hedh të 7,5 metrat kub aty ku do."

Për ta hedhur atje sasinë e nevojshme, nevojiten mbi 100 fluturime mbi reaktorët që rrezatojnë fort. Meqenëse bëhet fjalë për rrezatim gama, një mbrojtje efektive e ekuipazhe thuajse nuk është e mundur. Rrezatimi Gamma është njësoj i rrezikshëm si rrezet Rëntgen dhe depërton edhe midis materialeve të trasha, edhe sikur tabani i helikopterëve të jetë shtruar nga halli me sipërfaqe plumbi.

"Specialistët tanë thonë, se më e vonta në momentin kur elementet katodike të mos jenë mbuluar nga uji - dhe këtë për fat të keq duhet ta llogarisim, atëherë do të bëhet shumë, shumë e vështirë, nëse jo e pamundur që të fluturohet mbi ta."

Sipas përllogaritjeve të shoqërisë partnere franceze të GRS, Institutit për Sigurinë e Reaktorëve (IPSN), do të vendoset brenda 24 orëve të ardhshme, nëse do të ndodhë superaksidenti dhe do të çlirohen sasi të mëdha radioaktiviteti, apo nëse mund të pengohet.

Instituti për Sigurinë e Reaktorëve e konsideron vendimtare, që sasi të mëdha uji të mbërrijnë në lavamanët e shuarjes 3 dhe 4 edhe në rrugë të tjera. Por për këtë duhen vendosur tubacione të gjata në lavamanët e shuarjes dhe ato të lidhen me pompa të forta.

Kataklizëm edhe në ekonomi

Kostoja ekonomike e katastrofës më të rëndë natyrore të regjistruar ndonjëherë në Japoni vazhdon të rritet. Ekspertët thonë se ndërthurja shkatërrimtare e tërmetit, cunamit dhe krizës bërthamore ka gjasa të rezultojë në humbje financiare më të mëdha se ç’parashikohej për ekonominë numër 3 të botës. Një javë pas tërmetit, kërcënimi i një rrjedhjeje madhore radioaktiviteti është sfida më serioze për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Analisti Will Hedden thotë se paqartësia e situatës është shkak për luhatjet e tregjeve financiare: “Jemi ende në gjendje paniku. Ende nuk shohim si do t’i vijë fundi kësaj situate. Pra ka shumë pikëpyetje lidhur me problemet në Japoni”.Zyrtarët japonezë thonë se ka të ngjarë që dëmet të kushtojnë më shumë se tërmeti i vitit 1995 në Kobe që shkaktoi humbje prej mbi 100 miliardë dollarësh. Nathan Layne është Shefi i Redaksisë së Reutersit në Tokio: “Përllogaritjet e para nga analistë e ekonomistë flasin për 180 miliardë dëme. Por kriza për përkeqësohet. Nëse i shton edhe kërcënimin e rrezatimit, të gjithë ata që e ndjekin nga jashtë nuk do të vinë në Japoni, pra turizmi do të bjerë nga ky moment”.

Përveç shqetësimeve, është edhe dëmi mbi rrjetin elektrik të vendit. Analisti Paul Newton thotë se ndërprerjet e herëpashershme të energjisë kanë dëmtuar rëndë prodhimin industrial, veçanërisht në uzinat e automjeteve: “Kompanitë tani nuk po prodhojnë makina thjesht si rezultat i mungesës së furnizimit të rregullt me energji, jo për mungesë të pjesëve apo sepse objektet e prodhimit janë dëmtuar. Është thjesht fakti që prodhimi nuk mund të vazhdojë pa elektricitet”. Por ka nga ata që janë optimistë. Nicolas Szechenyi kryeson studimet japoneze në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington: “Dallimi ndërmjet kësaj katastrofe dhe asaj të vitit 1995 është se pjesa veri-lindore e Japonisë nuk është qendra industriale për ekonominë e vendit. Kemi parë plot uzina të mbyllen në industrinë e automjeteve, ka pasur ndalim të furnizimit me drita për të kursyer energjinë. Kjo mund të ndikojë tek eksportet në periudhën afat-shkurtër, por sapo të rifillojë rindërtimi, kjo mund t’i japë një hov ekonomisë”. Japonia pritet ta financojë rindërtimin duke shitur bono thesari. Por ekspertët thonë se një gjë e tillë do të ketë ndikim afat-gjatë mbi të ardhmen e ekonomisë së vendit, duke rritur çmimin e mallrave japoneze dhe duke e thelluar borxhin e vendit që aktualisht përllogaritet në rreth dyfishin e prodhimit të brendshëm bruto.

Sa e rëndë është kriza bërthamore në Japoni?

Ndërsa kriza në kompleksin bërthamor Daiichi në Fukushima të Japonisë thellohet, shtohet edhe frika për përhapjen e rrezatimit dhe për përmasat e keqësimit të gjendjes. Ekspertët bërthamorë thonë se kriza i ka kaluar tashmë përmasat e incidentit më të rëndë bërthamor të Amerikës, por nuk është katastrofa më e rëndë bërthamore në histori.

Banorët rrinë në rradhë për t’u kontrolluar për rrezatim, në qendra të ngritura jashtë perimetrit prej rreth 30 kilometrash përreth kompleksit bërthamor të Fukushimës.

Punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë u detyruan të largoheshin përkohësisht nga kompleksi dje, kur radioaktiviteti filloi të kapte nivele të larta, duke ngadalësuar përpjekjet për të parandaluar një rrjedhje bërthamore. Qindra mijëra njerëz janë larguar nga zona. Atyre që jetojnë brenda perimetrit prej 30 kilometrash, u është thënë të mos dalin nga shtëpitë. Një numër të huajsh dhe vendasish po largohen nga Japonia.

Presidenti i Institutit amerikan për Studime Energjie dhe të Mjedisit, Arjun Makhijani thotë se kriza bërthamore e Japonisë është e veçantë. “Po bëhemi dëshmitarë të një aksidenti krejtësisht të pashembullt bërthamor, në kuptimin që nuk ka pasur kurrë tre reaktorë në të njëjtin vend në të njëjtën kohë ku të ketë ndodhur një incident i rëndë”.

Në kompleksin e Fukushimës ka pasur shpërthime në tre nga reaktorët e tij dhe një zjarr në të katërtin. “Do të thoja që është një incident shumë i rëndë. Nuk duket se është i nivelit të incidentit më të lartë deri tani, Çernobilit, as nuk i afrohet, sepse ai lloj rrezatimit nuk është matur”. Kevin Kamps i shoqatës “Beyond Nuclear”, që është kundër energjisë bërthamore thotë se radioaktiviteti duket se po përhapet në masë të konsiderueshme, përfshirë izotopet radioaktive që sulmojnë me agresivitet gjendrat tiroide.

“Jodio radioaktive mund të spastrohet nga trupi nëse merren tableta në kohë. Ne e pamë me Çernobilin se çfarë mund të ndodhë nëse njerëzit janë të ekspozuar ndaj jodios radioaktive 131. Në rajonin e Çernobilit, në Ukrainë, Bjellorusi dhe Rusinë Perëndimore ka pasur një epidemi sëmundjesh të lidhura me tiroidet, kancere, patologji të tjera tek të rriturit dhe veçanërisht tek fëmijët”.

Rrjedhja radioaktive e pjesshme e një reaktori në Three Mile Island ishte aksidenti më i keq bërthamor i Shteteve të Bashkuara. Ekspertët thonë se gjendja në Japoni është bërë më e rëndë sesa ajo që ndodhi atje në vitin 1979.

Në incidentin në Three Mile Island, nuk kishte të plagosur ose të vdekur dhe një nivel shumë i ulët rrezatimi u gjet më pas në bimë dhe kafshë.

Reaktorët bërthamorë janë vendosur nën disa shtresa mbrojtëse sepse shufrat e karburantit që përdoren në reaktorë çlirojnë nivele të larta nxehtësie. Zakonisht uji ftoh shufrat, por kur ftohja nuk funksionon, temperatura mund të rritet aq shumë saqë i shkrin shufrat.

Kevin Kamps thotë se inxhinierët bërthmorë po bëjnë përpjekje të dëshpëruara për të mos lejuar që shufrat e karburantit të mbinxehen në Fukushima.

“Rrjedhja mund të kalojë përmes shtresës rrethuese të reaktorit, përmes sistemit të bllokimit, në mjedis dhe pastaj nuk mund të bësh dot asgjë nëse nuk rifillon të funksionojë ftohja”. Sesa mund të rëndohet gjendja dhe sa afatgjata do të jenë pasojat e krizës në Fukushima dhe zonat përreth, do të varet gjerësisht tek rrjedha e ngjarjeve. Dy dekada pas Çernobilit, Kombet e Bashkuara ndërmorën një përpjekje 10 vjeçare rimëkëmbjeje që vazhdon edhe sot.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›