236 vjet SHBA

Në vitin 1776 u hodh themeli i pagabueshëm prej Deklaratës së Pavarësisë, ku shkruhet: “Ne i mbajmë këto të drejta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se Krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, se mes tyre janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojmë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve”.
Në verën e vitit 1776, kolonët amerikanë ishin mjaft të përçarë. Një në tre amerikanë ishin besnikë ndaj Britanisë. Ata as që e imagjinonin dot luftën për pavarësinë.
Në qershor të vitit 1776, kolonitë kishin filluar revoltën e hapur. Një numër luftimesh ishin zhvilluar midis forcave të kolonive dhe trupave britanike. Ndërkohë, kishte filluar të përhapej ideja e pavarësisë.
Delegatë nga 13 kolonitë e Amerikës u mblodhën në Filadelfia, për një takim të Kongresit Kontinental. Edhe delegatët e këtij kongresi ishin të ndarë në mendime.
Disa prej tyre ende shpresonin se kolonitë do të mund të arrinin një marrëveshje me Britaninë. Të tjerë besonin se kolonitë do të mund t’i fitonin të drejtat e tyre, vetëm duke qenë shtet i pavarur.
Kongresi Kontinental doli me vendimin për të përgatitur deklaratën e pavarësisë. Thomas Jefferson ishte në krye të Komitetit të zgjedhur për shkrimin e dokumentit.
Më 2 korrik të vitit 1776, Kongresit ju dha vota zyrtare në lidhje me këtë çështje. Të gjitha kolonitë, me përjashtim të Neë Yorkut, votuan pro këtij vendimi. Delegatët e Neë Yorkut thanë se po prisnin urdhra nga udhëheqësit e qytetit të tyre, para se të votonin. Por ata gjithashtu premtuan se edhe kolonia e tyre, do të votonte në favor të pavarësisë.
John Adams i shkroi gruas së tij një letër po atë ditë. Ai i shkroi se 2 korriku do të ishte dita zyrtare e vendit të ri. Në fakt nuk ndodhi kështu. Dita zyrtare e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara u bë 4 korriku, dita kur Kongresi Kontinental votoi për miratimin e dokumentit të pavarësisë.
Deklarata e Pavarësisë fajësonte qeverinë britanike për të gjitha padrejtësitë që u ishin bërë kolonive. Në të deklarohej se qeveritë kanë të drejtën të ekzistojnë, vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit të tyre. Në Deklaratë gjithashtu thuhej se populli ka të drejtën të ndryshojë qeverinë, nëse ajo u mohon atyre të drejtat.