24 mijë turistë të huaj kanë vizituar qytetin e Sarandës gjatë 6 muajve të parë të vitit

Mbi 24 mijë turistë të huaj kanë vizituar gjatë 7 muajve të fundit qytetin e Sarandës, 3 për qind më shumë se vitin e kaluar. Burime nga terminali i portit të Sarandës thanë se “për periudhën 7 mujore llogariten të kenë hyrë mbi 24 mijë turistë të huaj në qytetin e turizmit”. “Janë 8 kryqëzorë turistikë që kanë sjellë në bordet e tyre këta turistë, kryesisht perëndimorë, por edhe amerikanë”, shprehet Tafil Kola, drejtori i portit. Sipas tij, kësaj shifre i shtohen edhe 17 tragete turistikë të linjës Korfuz-Sarandë, që janë ankoruar në portin e qytetit të Sarandës. “Çdo ditë vijnë 450 turistë të huaj, por një rritje edhe më e madhe pritet të regjistrohet gjatë muajit gusht”- pohon Kola. Gjatë këtij muaji parashikohet të hyjnë edhe 12 mijë turistë, nga 9 mijë të pritshëm. Deri në fund të vitit, agjencitë detare dhe ato turistike kanë të kontraktuar ardhjen edhe të 8 kryqëzorëve të tjerë. Qyteti i Sarandës shtrihet përgjatë gjirit të detit Jon, deri ku derdhet Lumi i Bistricës në det, me një gjatësi prej rreth 7,5 km. Nën juridiksionin e bashkisë janë pesë lagje dhe tre fshatra: Gjashta, Metoqi dhe Shelegari. Në janar të vitit 2007, qyteti numëronte mbi 35.000 banorë dhe njihet si një zone me emigracion të madh. Qyteti bregdetar ka një përbërje të larmishme etnike dhe krahinore. Saranda ka një klimë tipike mesdhetare, si dhe ka numrin më të lartë të ditëve me diell edhe në Europë, mbi 270 ditë.
...