25 goditje me kamxhik karikaturistit në Iran

Në vizatimin në fjalë, që mban firmën e Mahmoud Shokraye, deputeti Arak Ahmad Lofti Ashtiani paraqitet në stadium, i veshur si futbollist, me një letër urimesh në njërën dorë dhe njërën këmbë mbi top.
Gjithashtu, në ballin e tij duket një shenjë, të cilën deputeti e ka me të vërtetë, tipike e islamikut të përkushtuar, e shkaktuar nga lutjet e vazhdueshme.
Por parlamentari konservator është ndjerë i ofenduar dhe e ka paditur Shokrayin, duke e çuar çështjen në gjykatë.
Vendimi i dhënë, i pari i këtij lloji në Iran, ka shkaktuar shumë protesta. Në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter janë shtuar kërkesat që karikaturisti të bëjë ilustrime të tjera për deputetin.
Reagime kanë ardhur edhe nga Amnesty International, që ka dënuar “vendimin brutal” ndaj Shokraye. “25 goditje me kamxhik për një karikaturë janë një porosi mbytëse për të gjithë iranianët, që nuk mund të shprehin lirshëm dhe paqësisht opinionet e tyre, pa pasur frikë nga kundërsulmet shtetërore”, ka deklaruar Ann Harrison, nëndrejtore për programin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.