Shkupi po ngritë përmendore të historisë greke

Ministri i jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis deklaroi se Shkupi po provokon dhe po ngritë përmendore të historisë greke.
Lambrinidis këtë e deklaroi në një intervistë për gazetën kroate “Vjesnik”.
“Qeveria në Shkup edhe më tej përdor lëvizje provokative, si ngritjen e përmendoreve të personaliteteve të historisë greke në qendër të Shkupit. Përveç se kjo është nënçmim për opinionin grek, kjo ngritë edhe dyshimet për qëllimet e tyre të sinqerta për pjesëmarrje në procesin e negociatave. Kjo sjellë shkelë parimet për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. BE dhe NATO kanë bërë me dije se një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët për kontestin e emrit është kyçe për përparimin e ardhshëm të IRJM-së”, deklaroi shefi i diplomacisë greke, Stavros Lambrinidis.
Ai shtoi se Greqia ka një pozicion të qartë të orientuar drejt një zgjidhje të kontestit të emrit, një propozim që do të ketë përmbajtje gjeografike me përdorim të përgjithshëm.
“Ne kemi zhvilluar një pozicion të qartë si kristali dhe jemi orientuar drejt zgjidhje, një emër me përmbajtje gjeografike me përdorim të përgjithshëm, që njëherë e përgjithmonë do të mbyllte frymën e irredentizmit që është një helm që i kërcënohet tërë Ballkanit Perëndimor”, theksoi Lambrinidis.
Ai ka përshëndetur takimet dypalëshe midis kryeministrave Papandreu dhe Gruevski për përparimin e klimës politike në kuadër të negociatave për emrin që po zhvillohen nën patronatin e OKB-së.
“Në shumë raste kemi treguar përkushtimin tonë të sinqertë për perspektivat euroatlantike të IRJM-së, duke përshëndetur statusin e saj si vend kandidat por edhe kërkesën për heqjen e vizave”, deklaroi shefi i diplomacisë greke, Lambrinidis, i cili sot filloi vizitën e tij disa ditore në Ballkanin Perëndimor, me ndalimin e parë në Zagreb. Ministri i jashtëm i Greqisë më pas do të qëndrojë në Beograd dhe Prishtinë, ndërsa ka anashkaluar Shkupin. (INA)