25 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë. Berisha: Mbështetje për integrimin
Kryeministri Sali Berisha vlerëson si shumë të shkëlqyer marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Ndërsa ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënive diplomatike mes dy vendeve, kryeministri Berisha theksoi se Gjermania ka qënë një mbështetje e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Europian. “Unë besoj se këto 25 vjet bashkëpunimi të suksesshëm kanë krijuar kushte për një bashkëpunim të madh në vitet që vijnë. Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë në përpjekjet e saj për anëtarësimin në NATO dhe për të ndërtuar projektin e integrimit në Bashkimin Europian”- tha kryeministri.
Sipas kryeministrit Berisha, marrëdhëniet mes dy vendeve datojnë që kur në Shqipëri u vendos për të Princi Vilhelm Vidi. “Marrëdhëniet mes dy vedneve tona në rafshin diplomatik janë edhe të mëparshme pasi fuqitë e mëdha të asaj kohe përzgjodhën fill pas pavarësisë së vendit një mbret gjerman për të mbretëruar në Shqipëri. Pavarësisht e shkurtër koha që qëndroi në Shqipëri, Princ Vidi ka lënë një Shqipëri një përpjekje serioze dhe të ndershme për zhvillimin e këtij vendi”- tha kryeministri.
Panariti: Tek Gjermania gjejmë një partner të besueshëm dhe serioz
Ministri i jashtëm Edmond Panariti ndërsa ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona theksoi se Shqipëria gjen tek Gjermania një partner të besueshëm dhe serioz.
“Pas 1 çerek shekulli ne gjejme tek Gjermania një vend mik të qëndrueshëm, të besueshëm dhe serioz. Ne vlerësojmë bashkëpunimin e shkëlqyer dhe dimensional që kanë bërë të mundur afrimin mes dy popujve tanë”- theksoi Panariti.
Kreu i diplomacisë vlerësoi gjithashtu edhe mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.