Wollfarth: Demontimi rrit sigurinë kombëtare

“Procesi i demontimit rrit sigurinë kombëtare dhe është një proces transparent”. Kështu u shpreh sot Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, gjatë ceremonisë së dhurimit të disa pajisjeve për uzinën e lëndëve plasëse në Mjekës të Elbasanit.
Ambasadori Wollfarth, i cili e vizitoi Uzinën së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, theksoi se, “përfundimi i procesit të shkatërrimit të municioneve të tepërta në vitin 2013, siç parashikohet në planin e veprimit për çmilitarizimin, është vendimtar për sigurinë e qytetarëve brenda vendit dhe më tutje”. “Lëndët e rrezikshme kimike, municionet e vjetra dhe armët e vogla, për sa kohë që ekzistojnë, përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë”- tha Wollfarth.
Sipas tij, procesi i çmilitarizimit do të thotë forcim i paqes dhe sigurisë në Shqipëri dhe në mbarë rajonin dhe ne jemi të angazhuar për t’i mbështetur më tej autoritetet në këtë drejtim.
“Është e rëndësishme që punonjësit ta kryejnë punën e tyre në kushte sa më të larta sigurie dhe për këtë jemi të lumtur që mund t’i kontribuojmë rritjes së sigurisë për punonjësit e uzinës”- tha Wollfarth.
Ai shtoi se Prezenca e OSBE-së po shqyrton se si t’i ofrojë asistencë shtesë Ministrisë së Mbrojtjes edhe për shkatërrimin e armëve të vogla dhe të lehta. “Pas shpërthimit vdekjeprurës të municioneve në Gërdec në vitin 2008 prezenca me mbështetjen financiare të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, e ka ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj për të shkatërruar në mënyrë të sigurt municionet e tepërta konvencionale dhe kimikatet e rrezikshme toksike”- theksoi ambasadori i OSBE. Prezenca, vijoi ai, ka ndihmuar në shkatërrimin e 34 ton karburanti raketash dhe 120 ton dikloroetani, një lëndë kimike e rrezikshme kjo, si dhe ka siguruar pajisje për çarmatimin e municioneve të tepërta.
Nga ana e tij, ministri Imami falënderoi Ambasadorin e OSBE-së, Wollfarth për mbështetjen e procesit të demontimit, i cili është model për rajonin. “Dikur kishim lëndë të rrezikshme me pasoja katastrofike, ndërsa sot ka siguri të plotë. Jemi të vendosur në këtë rrugë dhe do të marrin fund shpërthimet në poligone”- tha Imami.
Ministri i Mbrojtjes, Imami u shpreh se, "programi i shitjeve do të vazhdojë dhe do bëhet në përputhje me ligjet ndërkombëtare".
Në kuadër të kësaj veprimtarie, Prezenca e OSBE-së i dhuroi uzinës shtatë kamera sigurie, një videoregjistrues dixhital dhe një monitor.