250 punonjës mjekësie për një pacient
Çudia ndodh në qytetin e Çorovodës të rrethit të Skraparit. Në spitalin e këtij qyteti ndodhen gjithsej katër mjekë dhe 246 punonjëse që marrin rrogën si infermiere dhe sanitare, ndërkohë që në këtë spital ditën e djeshme i shërbehej vetëm një pacienti që kishte shkuar për trajtim mjekësor njëditor. Sipas nën/drejtorit të këtij spitali, ka humbur prej shumë kohësh funksioni, për të cilin është ndërtuar ky spital. Kjo për shkak se në këtë spital, jo vetëm që nuk ka mjekë specialistë, por mungojnë edhe medikamentet, që nga paracetamoli e deri tek injeksionet. N/drejtori i spitalit të Skraparit, mjeku Ali Islamllari, gjatë një interviste të dhënë për gazetën, ka pohuar se spitali i Skraparit ka marrë fund, pasi në këtë spital nuk arrihet t’i shërbehet dot as urgjencës, sepse nuk ka asnjë medikament. Mjeku Islamllari ka pohuar se në këtë spital kanë mbetur vetëm 4 mjekë, njëri prej të cilëve ka dalë në pension dhe vazhdon të kontaktohet nga spitali me orë vetëm për shkak të emergjencave. Ky spital, pohon mjeku Islamllari, funksionon vetëm “de jure” si shërbim urgjence, pasi në këtë shërbim urgjence nuk ka asnjë medikament për të sëmurët, ndërkohë që të gjitha dhomat e të tri kateve të këtij spitali janë bosh dhe në to nuk ndodhet asnjë pacient i shtruar. Mjeku Islamllari ka pohuar se ky spital ka qenë një nga spitalet shembull në të gjithë jugun, por vendosja në krye të tij e drejtuesve dhe mjekëve të paaftë dhe të korruptuar, të cilët e kanë parë vendin e tyre të punës si burim fitimi për ngritjen e klinikave të tyre private, ka bërë që ky spital ta humbasë funksionin e tij humanitar për banorët e këtij qyteti. Mjeku Islamllari pohon se është për të ardhur keq që në këtë spital nuk funksionon më asgjë, që nga shërbimet si ai i urgjencës, laboratori i analizave e deri te salla e kirurgjisë, e cila prej vitesh ka zënë myk, ndërkohë që aparaturat e saj janë ndryshkur si pasojë e mosfunksionimit. N/drejtori i spitalit të Skraparit, z. Ali Islamllari, pohon me keqardhje se në këtë spital rrinë kot, pa kryer asnjë shërbim mjekësor dhe marrin rrogën në fund të muajit rreth 250 punonjës, mjekë, infermierë, ndihmësinfermierë e sanitarë. Mjeku Islamllari, duke e cilësuar ish-ministrin e Shëndetësisë, z. Nard Ndoka, si shkatërruesin e mjekësisë në vend dhe shëndetësisë në Skrapar, ka pohuar se menjëherë pas largimit të tij nga posti i ministrit, muajin e kaluar, Ndoka i ka shfrytëzuar edhe ato pak ditë që i kishin mbetur dhe sikur të mos mjaftonin 250 punëtorët që merrnin rrogën pa punë nga ky spital, ai emëroi në punë edhe 10 punonjës të tjerë nga ky qytet. Mjeku Islamllari ka theksuar se në këto kushte, spitalit të Skraparit i ngelet si e vetmja zgjidhje e mundshme për ta shpëtuar nga kjo katastrofë, shndërrimi i funksionit të tij nga spital në qendër shëndetësore me shërbim urgjence 24-orësh.