Topi dekoron Postribën, kërkon të rishkruhet objektivisht historia
Topi mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore në nderim të Kryengritjes Antikomuniste të komunës së Postribës të 9 shtatorit të vitit 1946, e cilësuar nga historianë si kryengritja e parë antikomuniste në gjithë Evropën Juglindore. Në këtë ceremoni Topi foli për nevojën e rishkrimit të historisë në mënyrë objektive dhe rivënien në vend të padrejtësive të së kaluarës. “Ne duhet t’i shmangemi leximit të njëanshëm e ideologjik të historisë dhe mbulimit të saj nga pluhuri i harresës. Kujtimi i së kaluarës do të thotë respekt për të ardhmen. Ne do të dëshmonim një vizion mjaft të gjymtuar të këtyre viteve, po të tentonim të ndërtonim një “demokraci të mbështetur mbi harresën”. Shoqëria shqiptare është dhe do të jetë moralisht jo e qetë, për aq kohë sa nuk do të vihen në vend padrejtësitë e së kaluarës, për aq kohë sa të persekutuarit politikë të mos shpërblehen deri në fund moralisht e materialisht, për aq kohë sa nuk është bërë rikthimi i plotë i vlerave të tyre si vlera të patjetërsueshme të demokracisë”, - tha Topi.
Presidenti prej kohësh është përfshirë në një seri dekorimesh, duke nderuar figura të njohura si persekutorë të regjimit komunist. Jo pak herë një gjë e tillë ka zgjuar dhe revoltën e ish-të persekutuarve politikë. Për të “sheshuar” të tilla gjëra, presidenti ka tentuar disa herë të shfaqet nëpër aktivitete të tilla për të bërë deklarata në favor të rishkrimit të historisë dhe vënies në vend të padrejtësive historike.