Mirel: S’ka afate, plotësoni kushtet, përfitoni liberalizim vizash
BE pret që qeveria shqiptare të plotësojë kushtet e vendosura për liberalizimin e vizave. Kështu tha Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, gjatë takimit me kryeministrin Berisha. Ndryshe nga qeveritarët që kanë vendosur afate në këtë drejtim, Mirel ka thënë që nuk ka një kalendar, por thjesht kushte që duhen plotësuar. “Ne gjithashtu diskutuam çështjen e liberalizimit të vizave, për të cilën unë jam dakord me kryeministrin se është një çështje shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Për këtë, ne duam ndihmën e qeverisë shqiptare, që të punojë shumë për plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, që do të na ndihmonte ne t`iu rekomandojmë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Për këto çështje dhe çështje të tjera ne do të garantojmë fondet e mjaftueshme nëpërmjet Instrumentit të Para-Aderimit. Rreth 200 milionë euro do të jepen gjatë 3 viteve të ardhshme dhe jam shumë i kënaqur të theksoj se këto do të jenë fonde që do të jepen si grante nga vendet e Bashkimit Evropian”, - tha Mirel.
Para disa kohësh, ministri i Jashtëm shqiptar, Lulëzim Basha, deklaroi se heqja e vizave do bëhet brenda mandatit të Barroso-s. Por Mirel rrëzon poshtë çdo afat kohor. “Udhëzuesi është pak a shumë një listë kushtesh që duhen përmbushur. Heqja e aplikimit të vizave nuk ka për shtysë një kalendar, por ka reformat”, - tha Mirel.