Berisha: Prisni edhe pak për transparencën e spotit
Pas shumë ditësh përpjekje nga ana e medias për të marrë një prononcim mbi çështjen e spotit të kryeministrit, Sali Berisha, në lidhje me antikorrupsionin, ky i fundit ka folur dje për këtë çështje, duke lënë sërish gjithçka evazive dhe të mbuluar me hije skandali. Berisha tha dje se media do të informohet në lidhje me kompaninë e prodhimit, tenderin dhe çmimin, por nuk bëri të ditur, pse po vonohet një gjë e tillë, kur prej shumë ditësh është kërkuar transparencë nga ana e medias. Nëse të dhënat do të ishin transparente dhe korrekte, ato do publikoheshin në çastin që është kërkuar një gjë e tillë. Por tani, më shumë se një javë pas skandaleve të publikuara në media në lidhje me këtë spot, kryeministri ka premtuar transparencë. Megjithatë, edhe kjo transparencë duket se do vonojë edhe disa ditë, derisa të “kopsitet” skandali.
“Do të bëhet publike çdo qindarkë dhe çdo gjë e kësaj qeverie. Të jeni të sigurt. Është bërë një kërkesë me shkrim dhe Departamenti i Informacionit, do bëjë publike çdo gjë në këtë drejtim, sepse transparenca është në frymën e kësaj ndërtese. Shpresoj se do t’ia përcillni shikuesve tuaj ato të dhëna, se janë me interes”, - tha kryeministri.