E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu rrëfen për orët në prokurori

Antena brenda familjes

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, qëndroi dje shtatë orë në prokurori dhe, pasi përfundoi hetimin, doli sërish nga dera e pasme e institucionit pa dhënë komente. I vetmi që u përball me median ishte avokati Visha, dikur një armik i madh i Berishës, por së fundi një këshilltar i tij për çështjen e Gërdecit. Aq i afërt është bërë me qeverinë, sa ministri Alibeaj është detyruar t’i japë licencën e avokatit për 24 orë, pasi e kërkoi këtë gjë Fatmir Mediu. Visha bëri shpjegimet e veta, sipas të cilave Mediu nuk është marrë i pandehur dhe se ndaj tij nuk ka ende çështje penale.

Miku i rubrikës sonë, Flamuri, foli vetë me Mediun, sapo doli nga prokuroria dhe zhvilloi këtë dialog:

- Hë, si kaloi, të lodhën shumë?

- Jo mo burrë, mirë shkoi. Janë çuna të mirë ata. Se kishte fol dhe Visha, kur isha unë në SHBA para disa javësh. Se këta s’e kanë mirë të qartë, mos dëgjo shtypin ti. Ua thashë dhe në SHBA që unë nuk jam përzier në atë punë. Dhe me fishekët kinezë vonë u ingranova, se nuk e kisha idenë. Mos dëgjo këta të medias ti, se këta ia futin kot.

- E pe ç’kanë shkruar këto gazetat e Ramës sot për Delijorgjin?

- E pashë o burrë, e pashë. Ato janë kot fare. Po shumë mirë ishte përgjigjja e doktorit. Është e vërtetë që askush nga familja e tij ose miq të tij nuk kanë shkuar në Bosnjë për asnjë lloj shërbimi. Për qejf mund të ketë vajtur kush të dojë. Ai s’do ndalojë njerëzit të shkojnë për qejf. Se ky Delijorgji ka qenë i kujdesshëm. Dhe me mua nuk ka asnjë fakt zyrtar që jemi takuar për ndonjë lloj shërbimi. Po kafe për qejf s’na ndal dot njeri.

- Po ça të pyetën ndonjë gjë tamam?

- Po hiç, më shumë për procedurat, emrin e babait, nënës, ditëlindjen, adresat, hëngrëm nga një sanduiç, pastaj na solli dikush ca birra, u fola pak në përgjithësi për angazhimet e mia për reformat, futjen në NATO, bashkëpunimin me SHBA, takimin me ambasadorin. U kënaqën, se ishin çuna të mirë dhe kishin shumë kuriozitet. E kishin të qartë se faji është i ushtarakëve, jo imi, se ata e kanë lejuar Mihalin dhe shokët e tij ta bënin këtë punë në Gërdec. Unë as jam marrë fare me këtë punë. Dhe atyre çunave që përflasin, u bien kot më qafë. Kam parë që thonë jo Rafi, jo Shkëlzeni. S’është e vërtetë fare. Rafi, me sa di unë, ka pas kunatin, atë Nazmiun, dhe s’është marrë fare me këtë punë. Dhe Zeni ka pas burrin e tezes. Pavarësisht se janë miq me njëri-tjetrin, ata e kanë gjet vet atë punë, s’i kanë ndihmuar ata. Ata e morën vesh, kur shpërtheu, atëherë kur e morën vesh të gjithë. Dhe unë me doktorin. Po ta dinte Zeni dhe Rafi, do ma kishin thënë. Kemi ndenj dhjetëra herë bashkë në atë kohë dhe s’më kanë thënë gjysmë fjale. Nuk e kanë dit, ndaj. Se po ta dinin, do ma thoshin një fjalë. Natë e ditë bashkë rrinim. Kur e morëm vesh ne, qe bërë hataja. Dhe i kishin përdorur njerëzit tanë si skllevër. Ca mbanin arka, ca numëronin kamionë. Shumë të poshtër. Po hajt se do dalin të gjithë të vërtetat. S’kanë ç’thonë më për mua tani. Ja, donin të shkoja në prokurori, shkova.

- E lexove intervistën e ambasadorit amerikan sot, prapë ngulte këmbë?

- E lexova. Jo mo, ai s’është burrë i keq. Se e njoh unë atë. Dhe i thashë dhe Dagut tani që isha në Amerikë, të flasë me dikë që është aty në Shtëpi të Bardhë, që ky të mos konsumohet shumë në këtë çështje. T’ia lërë drejtësisë mor burrë. Pse bëjnë presion kot. Ne na akuzojnë për paragjykime, po ne jemi më të hapur. Ne s’kemi problem i majtë apo i djathtë. Ja, avokati im është shembull konkret. E kemi pas kundërshtar, e marr për avokat. Dhe jo vetëm unë, po dhe doktori më mbështet. E bëri mut Alibeajn, se nuk donte t’i jepte licencën. “Të aplikojë sipas rregullave”, - thoshte. Pastaj u detyrua t’ia japë për 24 orë me urgjencë. S’kanë ç’na bëjnë më tani. Kemi mbështetje gjithandej. Kam fol dhe me këta të PS. U kam thënë mos ia fusin kot pa fakte. Dhe me thënë të drejtën nuk po flasin. Asnjë llaf s’kanë thënë. As Delijorgjin s’e kanë zënë në gojë, as mua, as Berishën. Ja, po merren me atë misrin pa kokrra. Me atë të merren, se për atë s’ka faj qeveria. Po me Gërdecin po tregohen seriozë. Duket që e njohin dhe Delijorgjin dhe e dinë të vërtetën.

- Epo urime atëherë, ishallah mbyllet me kaq. I kam thënë dhe atij burrit, po e gjeti gjë Fatmirin, mo ta shoh më aty atë femrën.

- E di, e di, më ka thënë. Faleminderit për mbështetjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›