E Shtunë, 31 Tetor 2026

27 komuna ende të bllokuara

Ministria e Brendshme bwri tw ditur tw shtunën pasdite se në Qarkun e Shkodrës akset rrugore kombëtare janë të hapura me përjashtim të segmenteve Qafë Mali - Qafë Shllak dhe Qafë Mali - Fierzë. Sot është punuar për hapjen edhe të këtyre segmenteve si dhe në akset rrugore që bashkojnë qendrat e komunave me akset kombëtare. Konkretisht është punuar nga forcat dhe mjetet e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve dhe të Forcave të Armatosura për hapjen e rrugëve që lidhin akset rrugore kombëtare me qendrat e komunave Shalë, Shosh, Shllak, Pult, Kelmend, Iballë, Fierzë, Blerim dhe Qelëz.

Në Qarkun e Kukësit është punuar nga forcat dhe mjetet e Forcave të Armatosura dhe Drejtorisë Rajonale të Rrugëve për hapjen e segmentit prej 3 kilometrash Kukës - Qafë Shllak dhe Domaj - Draj Reç, e po kështu edhe në akset që rrugore që lidhin me akset kombëtare qendrat e komunave Shishtavec, Bushtricë, Grykë Çaje, Kalis, Surroj, Lekbibaj, Llugaj, Bytyç dhe Arrën.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme mësohet se në Qarkun e Dibrës sot është punuar dhe ka përfunduar puna për hapjen e akseve rrugore kombëtare me qendrat e komunave Zall Dardhë, Trebisht, Arras dhe Luzni. Vijon puna dhe është pranë përfundimit për lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Kala e Dodës, Selishtë, Lurë, Zall Reç e Ostren.

Në Qarkun e Korçës tashmë ka përfunduar puna për lidhjen e qendrave të komunave të bllokuara me rrugët kombëtare.

Sa i takon operacioneve nga ajri për emergjenca shëndetësore dhe ndihma të tjera humanitare, MB-ja njoftoi se gjatë ditës së shtunë janë transportuar për në spitalin rajonal të Kukësit një i sëmurë nga fshati Buz i Bushtricës dhe një grua me hemorragji nga Shishtaveci.

Po ashtu, janë transportuar për në spitalin e Bajram Currit dy gra të sëmura, nga fshatrat Zherkë dhe Rodogosh të komunës Bytyç, si dhe medikamente në fshatin Degë, komuna Dushaj. Gjithashtu, një i sëmurë nga komuna Golaj e Hasit është transportuar në spitalin e Kukësit.

Është kryer transport medikamentesh në fshatin Kir, komuna Pult të Shkodrës dhe është transportuar në spitalin e Pukës një fëmijë i sëmurë, nga fshati Kabash.

Sot janë kryer gjithashtu fluturime për transport ndihmash në Valbonë, Lekbibaj dhe Margegaj të Tropojës, Poroçan dhe Kukur të Gramshit dhe në komunën Arras të Peshkopisë.
/Start/

                                                                                             2012-02-18 23:43
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›