E Diel, 1 Nëntor 2026

28-29 Nëntori, Berisha braktiset nga të djathtët

 

Topi, Berisha dhe Topalli, homazhe dhe vizita në familjet e dëshmorëve. Asnjë drejtues i djathtë gjatë homazheve

TIRANË- 28 Nëntori, ka mbledhur edhe këtë vit drejtuesit me të lartë të shtetit për të festuar Ditën e Pavarësisë dhe atë të Çlirimit të Shqipërisë. Sërish e djathta i ka festuar dy festat në një datë të vetme. Për këtë arsye, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri, Sali Berisha,kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë zhvilluar dje ceremoninë zyrtare në nderim të dëshmorëve, që ranë në emër të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë. Por, si asnjë vit tjetër, drejtuesit e partive të djathta, si kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ai i PR-së, Fatmir Mediu, por edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, nuk kanë qenë të pranishëm, duke treguar, në një farë mënyre, se nuk përkrahin më ritualin e përvitshëm të disa drejtuesve të së djathtës, se festa e Çlirimit dhe ajo e Pavarësisë duhen festuar në një ditë. Dje, gjatë ceremonisë, i pranishëm ishte vetëm ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj. Ndërkohë që, të pakët ishin edhe veteranët, shumica e të cilëve njohin 29 Nëntorin, si ditën e Çlirimit.

Ceremonia

Kryeministri Sali Berisha ka qenë i pari që mbërriti tek Varrezat e Dëshmorëve. Me po aq nxitim është shfaqur më pas edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërsa i fundit ishte Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili jo pak ka qëndruar veças me kreun e ekzekutivit. Kreu i shtetit, Topi, vendosi një kurorë dhe u përul me nderim para memorialit “Nënë Shqipëri”. Në fjalën e tij pas ceremonisë, Topi e cilësoi 28 Nëntorin, si një ditë të shënuar dhe mjaft domethënëse. “Është një ditë e shënuar festa jonë kombëtare. Është një ditë ku, në radhë të parë, duhet të kuptojmë që Shqipëria është sot, në këtë ditë të shënuar, në sajë të punës së disa gjeneratave, por në radhë të parë, të atyre që arritën të pavarësojnë Shqipërinë. Ka dy situata shumë të ndryshme, në atë kohë Shqipëria luftonte për të mos u disintegruar, ndërsa sot Shqipëria është në integrim. Pra, janë dy ngjarje, të cilat vërtet janë në distancë, por janë shumë sinjifikative për Shqipërinë. Dhe me këtë rast, dëshiroj të uroj të gjithë shqiptarët për festën e tyre kudo ku ata jetojnë”, - tha Topi. Ndërsa Kryeministri Berisha e cilësoi 28 Nëntorin si ditën e krenarisë së madhe kombëtare dhe me këtë rast, shprehu nderimin e tij ndajatyre që ranë për liri dhe dinjitet kombëtar. “Dua të shpreh nderimin tim më të thellë për familjet e tyre, të cilët në beteja dhe përpjekjet e lirisë, humbën njerëzit e tyre më të dashur, por jeta e tyre u bë dritë e lirisë për kombin dhe u shndërrua në ardhmëri të vërtetë për të. Pa këtë ditë, kombi dhe qytetarët e tij nuk do të mund të ngrinin kokën lart, ndaj kjo është një ditë e vizionit të madh, sepse një komb i lirë, siç është sot kombi shqiptar, i ka të gjitha shanset dhe mundësitë që të ndërtojë të ardhmen që meriton”,- tha Berisha. Ai theksoi se kjo ditë, festohet së bashku me Kosovën e lirë dhe në një kohë kur Shqipëria është në prag të anëtarësimit në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›