E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spekulimi, tregtarët rrisin çmimin e gazit

 

FIER -Rritja e çmimit të gazit të lëngshëm në Fier ka vënë në vështirësi familjarët që e kanë këtë produkt lëndë të parë për ngrohje dhe gatim, ndërkohë që organet përkatëse shtetërore të kontrollit vazhdojnë të heshtin përballë këtij spekulimi. Sipas burimeve për "Gazeta Shqiptare", vetëm në harkun e 10 ditëve të fundit, çmimi i 1 litër gazi është rritur me 20 lekë. "Në kushtet kur dimri është në prag e kufizimet e energjisë elektrike janë më të shpeshta, nevoja për gaz është më e madhe. Por rritja e çmimit po bëhet e papërballueshme", - thonë tregtarët. Ndërsa specialistë të Tatim-Taksave dhe të Zyrës së Kalibrimit pohojnë se rritja e çmimit është në dorë të tregut dhe se ata nuk mund të ndërhyjnë.
RRITJA E ÇMIMIT
Mësohet se brenda një jave, në qytetin e Fierit çmimi i një litër gazi ka pësuar rritjen më të madhe gjatë viteve të fundit. Kështu, nga 110 lekë që ishte në fillim të tetorit, në fund të këtij muaji një litër shkoi në 130 lekë. Ndërkohë që vetë tregtarët, me justifikimin se "e blejmë shtrenjtë në pikat e shumicës", parashikojnë një rritje tjetër të çmimit këto ditë. Sipas qytetarëve, edhe këtë vit ashtu si vitin që shkoi, tregtarët në marrëveshje me njëri-tjetrin kanë rënë dakord që të rrisin çmimin e gazit. "Vitin që shkoi, - shtojnë ata, - në periudhën e dimrit, një litër shkoi në vlerën e 170 lekëve. Sipas statistikave, në qytet tregtojnë gaz 13 pika shitjeje, e që të gjitha kanë një rritje çmimi. E njëjta gjë është dhe nëpër pikat e tregtimit në shkallë prefekture, si në fshatra ashtu dhe në zonat urbane.
BANORET
Banorët thonë se e kanë denoncuar këtë spekulim të tregtarëve në organet vendore e ato tatimore, por nuk shikohet asnjë ndërhyrje e tyre për të frenuar këtë padrejtësi. Në këto kushte, ata ose duhet të zbrazin xhepat, ose të rrinë në të ftohtë. "Energjia, nëse do ta përdorim për ngrohje, shkon më shtrenjtë se gazi, ndaj ne detyrohemi ta blejmë edhe me këtë çmim të rritur. Por nëse nuk frenohet kjo rritje, ne nuk dimë se çfarë do të bëjmë", - thotë Lumturi Hazizi, një prej banoreve të qytetit.Ndërsa Erjon Binjaku, një banor tjetër thotë se në këtë spekulim në garë për rritjen e çmimit janë vënë dhe vetë shitësit. "Nëse bombulën 10-litërshe e kam blerë në fillim të muajit që shkoi 1300 lekë, para një jave e bleva 1500 lekë të reja. Ndërsa dje pyeta dhe më thanë që çmimi kishte vajtur 1700 lekë. Nuk përballohet kështu", - thotë ai. Të kontaktuar nga "Gazeta Shqiptare", tregtarët e njësive të shitjes e mohojnë spekulimin duke thënë se "çmimin e rrisin pikat e shumicës". "Unë nuk kam ç'të bëj. E blej shtrenjtë dhe detyrohem ta shes shtrenjtë. Marr fitim aq sa të ushqej familjen me bukë", - thotë një prej tregtarëve të bombulave të gazit.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›