Dita e Pavarësisë, Rama vizitë në shtëpinë e Jasharit
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka zhvilluar dje takime me Presidentin Sejdiu, Kryeministrin Thaçi dhe Kryeparlamentarin Krasniqi. Rama mbështet liderët e Kosovës
TIRANË- Në 96-vjetorin e ngritjes së flamurit shqiptar, lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, ka zgjedhur Kosovën për urimet e tij për ditën që shënon shkëputjen nga otomanët dhe hedhjen e themeleve të shtetit të ri shqiptar. Në një ditë kaq të veçantë për gjithë shqiptarët, Ramës i është rezervuar një pritje tepër dinjitoze, ku ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit kosovar. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, është pritur fillimisht nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, teksa shoqërohej edhe nga anëtarët e kryesisë, Pandeli Majko dhe Shpëtim Idrizi. Pasi këmbyen urimet për 28 Nëntorin, Krasniqi e Rama biseduan për zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, duke u përqendruar kryesisht tek debati ndërkombëtar, që i parapriu vendimit për shtrirjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës. Krasniqi dhe Rama folën edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, e ka garantuar kryeparlamentarin Krasniqi për mbështetjen e gjithë institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike të Shqipërisë, për ecjen e mbarë të Kosovës në rrugën e zhvillimit edhe të afirmimit pozitiv ndërkombëtar. Ndërsa kryeparlamentari Krasniqi, ndërsa i ka dhuruar kreut socialist një kopje të Deklaratës së Pavarësisë, nuk ka nguruar të deklarojë se në të ardhmen nuk përjashtohet as ndërmarrja e nismës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kështu, i pyetur nga gazetarët në lidhje me një opsion të tillë, Krasniqi u shpreh se “Nëse dikush tenton të ndryshojë deklaratën e Grupit të Kontaktit, sidomos tri parimet e saj, ndoshta shqiptarët duhet të mendojnë edhe në atë aspekt. Është e drejtë e tyre”. Më pas, Rama ka zhvilluar takime të veçanta dhe me Presidentin kosovar, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin, Hashim Thaçi, me të cilët ndau urimet me rastin e 96-vjetorit të krijimit të shtetit të ri shqiptar me aktin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë. Kreu i opozitës shqiptare në këto takime mbështeti liderët e Kosovës për reagimin kundër planit gjashtë pikësh dhe tha se shqiptarët janë një, teksa rruga e vetme e tyre është Bashkimi Evropian. Duke bashkëbiseduar me Sejdiun, kreu socialist ka vlerësuar maturinë që ka treguar klasa politike kosovare edhe në këto ditë të vështira, për sa i përket fatit të kompaktësisë së territorit të shtetit më të ri të Ballkanit. Edhe takimi me Kryeministrin Thaçi, është mbizotëruar nga atmosfera e festës së pavarësisë. Pas takimit me të, kryetari i PS-së, Rama, tha se u ndje i privilegjuar që është i pari lider opozitar, që kryen një vizitë të tillë, në një ditë kaq simbolike për të gjithë shqiptarët, në Kosovën e pavarur. “Për hir të së vërtetës, unë ndihem i privilegjuar që më jepet mundësia të vij si kryetari i opozitës në Kosovën e pavarur, në ditën e flamurit të të gjithë shqiptarëve e shqiptareve, dhe t'ia uroj këtë edhe Kryeministrit tuaj. Përtej të gjitha përpjekjeve dhe përplasjeve edhe të natyrshme në fazën e njohjes dhe e konsolidimit të prezencës ndërkombëtare të Kosovës së re demokratike, ka një Kosovë reale, një Kosovë konkrete, të përditshme, që evoluon në drejtimin e duhur. Rikujtoj se Kosova nuk u pavarësua për t'u ndarë, por për t'u bashkuar për në familjen evropiane, ku aspirojmë të jemi së bashku, të gjithë ne, shqiptarë e shqiptare, që jetojmë në territorin shqiptar”, - tha Rama. Pas takimeve me Kryeparalmentarin Jakup Krasniqi, Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi, lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, është nisur për në Prekaz, pikërisht te shtëpia e Adem Jasharit, pasi 28 nëntori, është dhe datëlindja e tij.