E Diel, 1 Nëntor 2026

28 Nëntori, Presidenti Sejdiu uron homologun Topi

“Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ishte pa dyshim ngjarja më e madhe në historinë e kombit shqiptar që prej nëntorit të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Kjo ditë e bekuar mblodhi tok prijësit e të gjitha viseve shqiptare në qytetin e Vlorës, të cilët njëzëri e shpallën Shqipërinë shtet më vete, të lirë dhe të pavarur” thuhet në mesazhin e presidentit Sejdiu.

Presidenti i republikës së Kosovës thekson se 28 Nëntori është ditë e secilit shqiptar, pavarësisht ku jeton a punon ai. Ajo është ditë që na i përkujton sakrificat e mëdha dhe luftën e përhershme që kanë bërë shqiptarët gjatë gjithë historisë për të ruajtur të paprekshme frymën e qenies së vet nacionale.

“Sot, në 97 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, Republika e Shqipërisë mund të mburret me të arriturat e saj, sidomos të këtyre viteve të fundit. Anëtarësimi në NATO dhe ecja e fuqishme e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian janë një motiv i madh edhe për ne në Kosovë që të punojmë për jetësimin e standardeve të kërkuara nga këto institucione. Përmbyllja e plotë e këtij procesi të madh njëdrejtimësh do ta rrumbullakonte njëherë e mirë kthimin e kombit shqiptar në shtratin e vet të natyrshëm shpirtëror, kulturor e politik evropian”, vazhdon më tej z. Sejdiu.

Në fund të mesazhit, Kreu kosovar uron që Republika e Shqipërisë dhe populli i saj të kenë përherë vetëm mbarësi dhe suksese.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›