28 Nëntori i 1912, ditë e ndritshme e historisë së shqiptarëve

28 Nëntori i 1912 mbetet dita më e ndritshme e historisë së shqiptarëve dhe Shqipëria, në këtë 100 vjetor po hyn si shtet demokratik dhe i integruar në strukturat euro-atlantike. Kështu tha sot kryetari i LDK-ës, Isa Mustafa, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke folur në retrospektivë për zhvillimet historikë që përcjellën datën e 28 Nëntorit të viti 1912, tha se shteti shqiptar pati vështirësitë në konsolidimin e tij si shtet sovran dhe i pavarur gjatë dekadave të para. Megjithatë Mustafa tha se jo të gjitha vendet shqipfolëse u bënë pjesë e shtetit të Shqipërisë.
“ Dita e 28 Nëntorit të 1912 shënon ditën më të ndritshme të historisë shqiptare e shekullit 20-të. Kjo ditë shënon fillimin e kthimit të Shqipërisë në gjirin e familjeve europerëndimore. Pavarësia e Shqipërisë u pagua me një tagër shumë të lartë, pasi që ajo nuk arriti t’i përfshinte në të njëjtin pullaz shqiptarët e shpërndarë kudo në Ballkan”, tha Mustafa, raporton RTK.
Ndërsa duke folur për pozicion e Shqipërisë, në këtë 100 vjetor të shtetbërjes së saj, kreu LDK-ës, Isa Mustafa tha se Shqipëri është sot shtet demokratik i integruar në strukturat euroatlantike.
“ Sot, më 2012, kur shteti shqiptar po futet fuqishëm në shekullin e ekzistimit të tij, të mëvetësishëm, me mburrje mund të pohojmë se Republika e Shqipërisë, është një vend i qytetëruar dhe demokratik, një vend i anëtarësuar në NATO, një vend që është në prag të anëtarësimit të BE” , tha Mustafa.
Mustafa, tha se shqiptarët në rajon, ndonëse më së shumti të dëmtuar nga të gjithë popujt tjerë të Ballkanit, kanë promovuar gjithnjë bashkëjetesën paqësore me vendet fqinje./Indeksonline/