E Diel, 1 Nëntor 2026

Bahto: Mos privatizoni, mos ua hupni vlerën dëshmorëve

Nga: Dardan Hoti

Avad Bahto, Kryetar i Sindikatës së Telekomit në Bosnjë Hercegovinë, dhe njëherit Inxhinier i diplomuar në lëmin e Telekomunikacionit, ka qenë pjesëmarrës i një konference në Prishtinë bashkë me disa sindikalistë të vendeve të rajonit dhe njohës të proceseve ekonomike, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos e privatizoj Postën dhe Telekomin e Kosovës.

Bahto në një intervistë për Indeksonline, ka shpjeguar dhe ka folur duke përqeshur ligjet e Kosovës, të cilat sipas tij janë shumë të këqija dhe nuk ja lejojnë Qeverisë privatizimin në këtë mënyrë të PTK.

Ai i ka kërkuar institucioneve të Kosovës dhe njerëzve përgjegjës të këtij shteti që të miratojnë një ligj që i mundëson shtetit të Kosovës ti mbrojë interesat e veta, së paku në mënyrën më të vogël të mundshme.

“Them në minimum, se 100 për qind është e pamundshme. Se nuk jemi shtet dominant dhe i madh që mund ti mbajmë të gjitha resurset për vete. Ne gjithashtu duhet ti ndajmë me shtetet e forta dhe me fuqitë e mëdha dhe të drejta, por mendoj se askush s’ka të drejtë që në emër të popullit, Kosovës apo në anën tjetër Bosnjës, ti shes të gjitha, ndërsa në anën tjetër qytetarët e atij shteti të ngelin pa vende pune. Ti dhurojmë dikujt fitimet dhe kapitalet e njerëzve tanë, dhe me atë ti humbin vlerat e gjithë atyre njerëzve që kanë humbur jetën në Kosovë dhe Bosnjë”, ka thënë Bahto.

Bahto ka theksuar se është rrezik shumë i madh të bëhet privatizimi, pasi që Kosova nuk e ka këtë ligj.

“Kur nuk keni ligj për privatizim atëherë s’mund të keni proces transparent të privatizimit, as në ndonjë të ardhme do mund të procedoni ato të cilat janë bërë paligjshëm gjatë procesit të privatizimit”, theksoi Bahto.

Avad Bahto, përderisa fliste për procesin e privatizimit u ka propozuar personave përgjegjës për privatizimin që të lexojnë më shumë rreth këtij procesi. Ai madje, u ka propozuar një titull të librit.

“Privatizimi dhe Liberalizimi janë dy gjëra të rëndësishme në procesin e globalizimit. Procesi i globalizimit është i vendosur nga forcat dhe shërben për marrjen e resurseve me rëndësi, prej të gjitha vendeve të vogla dhe atyre që janë të pafuqishme. Atyre që u intereson dhe merren me këtë proces duhet ta lexojnë librin e John Perkinsit, i cili shumë vite ka punuar në interes të procesit të globalizimit dhe me mendimin e tij e ka paralajmëruar se për çfarë arsye dhe në çfarë forme dhe cilat janë dëmet për qytetarët e atij shteti ku ndodh Privatizimi dhe Liberalizimi i atij shteti. Shtetet tona si psh: Bosnja, Kosova dhe të gjitha shtetet në regjion janë shtete të vogla që i janë nënshtruar globalizimit”, ka thënë Bahto.

Kryetari i Sindikatës së Telekomit të Bosnje e Hercegovinës, po ashtu ka sugjeruar që si model të shikohet shteti i Sllovenisë, e cila sipas tij është shumë stabile dhe deri tani nuk ka shitur asnjë resurs strategjik dhe as që do ta shes ndonjëherë.

“Edhe Serbia e ka shit 70 për qind të Telekomit, mirëpo më vonë e ka parë se çfarë dëme i ka sjellë shtetit, dhe në vitet e fundit e ka kthye 100 për qind Telekomin e Serbisë ndërsa tash vetëm mundohet të zgjerojë”, ka thënë kryesindikalisti i Telekomit të Bosnjës.

Avado Bahto, ka theksuar po ashtu se nëse Kosova do ta shes Postë-Telekomin e Kosovës, atëherë do ta ketë fatin e njëjtë si të Maqedonisë dhe Kroacisë dhe e cila kurrë më nuk do të arrij të kthejë atë.

“Duke marrë parasysh situatën të cilët gjendet Kosova, kur një shtet shet Telekomin, është e pamundur pastaj të kthehet sepse është proces një drejtimesh. Kroacia kur ka shitur Telekomin e vet, pas disa viteve ku ka ardh në pushtet qeveria e re, nuk ka investuar më asgjë në Telekom dhe nuk është munduar që ta kthej atë për vete. Më vonë në 1997 ajo e ka pru një projekt të ri për ta ndërtuar një Telekom të ri të vetin, por nuk ka mundur ta realizoj. Është përgjegjësi e arsyeshme se si qeveria e Kosovës do te merret me këtë problem, kur një shtet më i zhvilluar siç është Kroacia nuk ka mundur, ju duhet të jeni të gatshëm që nëse i bëni këto gjëra me siguri do ta përjetoni fatin e Maqedonisë, e cila në dy vitet e para, fitimet e përgjithshme të Telekomit të tyre janë zvogëluar për 100 milion euro”, është shprehur Avad Bahto.

E vetmja zgjidhje sipas Bahtos, është ndalimi i këtij procesi të keq të privatizimit. Ai ka kërkuar nga deputetët e Kosovës që janë zgjidhur me votën e popullit, të jenë më të përgjegjshëm dhe të hapin një dialog, ku në mesin e tyre do të jenë edhe shumë ekspert të cilët do të diskutonin se cilat janë të mirat dhe të këqijat e këtij privatizimi.

“Në këtë dialog të hapur, qytetari duhet të jetë në interes të parë të shtetit. Nëse duhen të jenë përgjegjës atëherë duhet ta mbajnë gjithqysh një mbledhje të madhe me tematik të privatizimit dhe të gjithë të interesuarit duke kyçur intelektualet, akademinë e shkencave, sindikatat, organizatat joqeveritare dhe duhet ti thërrasin shumë ekspert që kanë përvoja nga shtetet e tjera. Nëse nuk janë të gatshëm dhe nëse nuk duan, atëherë ata janë të papërgjegjshëm. Ndërsa qytetarët duhet ti dënojnë ata që janë të papërgjegjshëm. Kjo është Demokracia”, ka thënë Bahto.

Inxhinieri dhe eksperti i Telekomit Avad Bahto, u ka thënë qeveritarëve tanë që tu a bëjnë një pyetje vetes.

“Pse dikush dëshiron ta blej Telekomin?...Kur përgjigjen në këto pyetje, do të vinë në shumë fakte që Telekomi s’duhet të shitet”, ka thënë Bahto./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›