28 qershori, nën propagandën verbuese të gërdecpolitikës
Unisens: Mendime vetjake antikonformiste
Mitet e rrëzuara - Po rrëzohen mitet e propagandës së skajshme komuniste. Fjala mit është e lashtë, prehistorike dhe ka të bëjë me tregimet legjendare, veçanërisht në popujt e ethshëm në përfytyrime: Miti i Romulit, miti i Prometeut. Por kemi edhe mite personazhesh të pavërtetë: Miti i Eskulapit. Ne do ta përdorim në këtë përcaktim të Zingarelit: “Gjërat apo personat që nuk kanë të bëjnë fare me të vërtetën“ (Fj., f. 968). Së këtejmi kemi edhe fjalën mitoman, për njerëzit që shohin ëndrra në diell! Te ne këta soj janë shumë të përhapur në propagandën majtiste, të dhjamosur në pasuri, prej njerëzish të cilët, edhe kur e kanë të qartë të vërtetën, domethënë edhe kur nuk shohin me tamam ëndrra në diell, kërkojnë të budallallepsin të tjerët, që t’i shohin ata këto ëndrra!
A keni parë për aksidentin e hidhur të të ndjerit Kosta Trebicka, të përmendet nga kjo propagandë mashtruese, legjenda e atentatit, pas ekspertizës së pakontestueshme të ekspertëve të kualifikuar amerikanë? Shumë nga ata të patenzonë e kuptonin që nuk mund të bëhej atentat (pa atentator!), në atë hapësirë sa dhjetë stadiume bashkë! Të gjithë atentatorët e këtij rruzulli, gjejnë zgëqe dhe ngushtica dhe kërkojnë errësirë “sa me t’i vu gishtat në sy”, që t’i shpëtojnë ndëshkimit. Pra, do të ishte një “atentator” i rekordeve gines ai torollaku i sajuar, që të mos identifikohej në një çmenduri të një vepimi të tillë, në fushë të mejdanit! Por për politikën satanike majtiste édhe gjërat e pamundshme logjikisht, janë të pranueshme. Është mendësia komuniste që mund ta përligjë këtë lloj propagande, të prejardhur nga regjimi i Enver Hoxhës. U vra Mustafa Gjinishi. U varros me nderime (pastaj u shpall tradhtar!). A e pohoi E. Hoxha se e vrau ai vetë, në bashkëpunim me Miladin Popoviçin? Vetëm në plen. e 2-të të K.Q. të PKSH-së (23-27 nëntor 1944), diktatori shqiptar e pranoi me gojën e vet këtë krim. Përse u mbajt e fshehur ajo kërkesa me shkrim që Tito të bëhej Sekretar I i KQ. të Shqipërisë, gjë që edhe Kuislingut do t’i vinte turp ta bënte këtë ndaj okupatorit gjerman? Sot, ky antikombëtarizëm me brirë nuk është përmendur askund në broçkullat e Nexhmijes, që ka nxirë mijëra faqe të pavërtetash por që, megjithatë, nuk ka guxuar ta mohojë dot këtë të vërtetë historike, që e damkos bashkëshortin e saj. Sali Ormëni, që ishte nja dy shkallë më lart se Kadri Hazbiu në gradë ushtarake dhe në Kuvendin Popullor të manikinëve apo të marionetave me detyrën që të ngrinin duart e t’i ulnin ato, sipas fijeve të përdorura nga Enveri, por që nuk deshi ta pranojë atë rol, u vu në listën e atyre që duheshin asgjësuar. Enveri, Mehmeti dhe Kadriu e vendosën ekzekutimin. E vranë. Por e shpallën se vrau veten! Dhe eshtrat nuk janë zbuluar as në ditët e sotme. Por hulumtimet e Xhemal Imerit, në dy libra investigatues të njëpasnjëshëm, kanë vërtetuar me prova arkivore dhe orale se Sali Ormënin e ekzekutuan, duke rënë poshtë ai miti partiak se vrau veten! Përse ky mashtrim enverist? Për dhjetë arsye. Po përmendim vetëm dy: Saliu i kishte thënë Enverit se ajo “lumturia” e gjendjes së shëndoshë ekonomike në fshatrat ku ai ishte mandatuar si deputet, ishte e pavërtetë. Së dyti (dhe kjo është e një rëndësie ekzemplare), se ai doli nga spitali (i detyruar) dhe u shfaq në mënyrë të befasishme dhe të pabesueshme në plenum, kur po diskutohej ai makinacioni i “Bombës së Ambasadës” dhe po stërholloheshin intrigat për të bërë atë vrasjen e bujshme (pa gjyq) të njëzetedy personave. U shfaq duke bërtitur: “Po vrisni njerëz të pafajshëm!”.
Këto mashtrime dhe propaganda gënjeshtare për t’i përligjur ato, janë përvetësuar në mënyrë monstruoze nga një pjesë e madhe e forcave nostalgjike, të përqendruara në P. Socialiste të Edvin Ramës. Antagonizmi ndërmjet këtij sakatimi të së vartetës, nga njëra anë, dhe propagandës së fakteve dhe të programeve në kundërvënie të retorikës denigruese dhe nihiliste, nga ana tjetër, propagandë kjo e dyta jashtë shpifjeve e trillimeve, e kryesuar nga Berisha, - ky antagonizëm propagandistik, pra, - u bë tepër i thekshëm veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore.
Por zgjedhjet nxorën edhe një të vërtetë interesante, që ka të bëjë me mitin e Gërdecit.
Dëshpërimi të merr mendt e kokës: M.Nano quan zuzarë banorët e Gërdecit!
Ja si e shpreh zemërimin e tij Mustafa Nano, në gazetën e Mero Bazes, “Tema” (10 korrik 2009, f. 13): “Katundarët e Gërdecit votuan për Sali Berishën!” (“Katundarët” shprehet në kuptimin përkeqësues, ndërsa ata janë më qytetarë se Muçi...). Çfarë analisti qenka ky Mustafai, kur nuk vëzhgon dot atë që është më e dukshmja, më e thjeshta për t’u kuptuar, se gërdecarët nuk kanë rënë pré e propagandës marramendëse të lakenjve të Edi Ramës (ndër të cilët është edhe Mustafai)? Dhe kur këtë e pohon vetë ky propagandist i së keqes, kjo dëshmon se është e vetmja e vërtetë që shprehet nga goja e një denigruesi fanatik, në dëshpërimin e tij të paarsyeshëm, për një dukuri që quhet paradoksale, por që s’është aspak e tillë. Mustafa Nano, duke e quajtur këtë dukuri si “të çuditshme” dhe “të padëgjuar”, shpërthen edhe më tepër në delirin e tij të çuditjes, duke iu përveshur banorëve të Gërdecit: “Sa më tepër që e rrisin zullumin zuzarët në pushtet (kuptohet se për kë e ka fjalën), aq më shumë e rrisim ne të tjerët (këtu është fjala për votuesit, duke përfshirë edhe ata të Gërdecit) mbështetjen për këta zuzarë”. Vetëm ky paragraf do të mbetet në analet e një pseudoanalisti të çekuilibruar, në mbrojtje si Gebëlsi ndaj Hitlerit, po të shohim sesi ai është gati të thotë se “Meta ia vodhi votat E. Ramës”(!). Mjafton të zbulojmë nëntekset e “gojës së tharë për të vënë gojën në rubinetet e pushtetit”, nga ana e Metës, duke harruar gojën e hapur sa shpella e Polifemit, për të gllabëruar edhe ekzekutivin, që i eturi gjer në patologji për pushtet, të bëhet i dypushtetshëm, domethënë i gjithpushtetshëm, e për të pasur kjo demokracia jonë e komunistizuar një Stalin të tretë (i dyti është Enveri, i promovuar në Pezë nga Edvini), në krye të saj! E kështu do të anëtarësohemi në BE-në blu, (të djathtët e kanë rrëmbushur BE-në, me flamurin e tyre blu) me 16 shtatorët e kuq të E. Ramës!). Gjer këtu kërkon të poshtërohet ky vendi ynë, i martirizuar si rrallëkush nga barbaria enveriste, prej nipit të anëtarit fanatik të B. Politike të Enver Hoxhës! Mustafa duket se i ka humbur dozat e një arsyetimi të shëndoshë. Duke e analizuar këtë periudhë, do të nxjerrim edhe një përfundim, në formë pyetjeje. Quhen zuzarë ata që përfaqësojnë qeverisjen e djathtë. Quhen mbështetës të zuzarëve banorët e Gërdecit, “që mbështesin këta zuzarë!”. Por a mos, vallë, zuzari është ai vetë? Berisha ka folur sinqerisht se nuk abuzohet me dhimbjen e me vdekjen, që të bëhet propagandë zgjedhore. Por M. Nano jo vetëm që ka abuzuar me dhimbjen e me vdekjen, por ka arritur gjer tek e pabesueshmja: që t’i quajë ata fatkëqij, zuzarë!
Për mendësinë komuniste, njeriu ka përmasat e një molekule!
Tani, duket se banorët e Gërdecit nuk i besojnë asaj propagande që ka pjellë truri sifilitik i Edvinit për “atentatin” kundër Gërdecit. Kjo e ka tërbuar Mustafën. Në zgjedhjet e ardhshme ky absurd do t’u kalojë kalendave greke, sikundër ndodhi me “çështjen Trebicka”. Siç ndodhi këto ditë edhe me gjashtë të pafajësuar ligjërisht për “abuzimet financiare” në autostradën e shekullit, për të cilën propaganda nën hyqmin financiar të Edit, buçiti fanfarat e saj të çakorduara, se tuneli i Kalimashit thuajse u rrëzua përtokë! “Zi ndjellin çdo ditë këta të paudhë, që zia i mbuloftë!” - tha në ato ditë një shofer i një TIR-i, që kishte përshkuar atë tunel të mrekullueshëm të Kalimashit, - kur kishte dëgjuar në radion e tij të kamionit, për të ashtuquajturën hatà në këtë autostradë, “që do ta inauguronte Rama, pas zgjedhjeve të 28 qershorit!” (Demek, e shpallur nga Majko, pa bërë asnjë cm rrugë - paçka se milionat i mblodhi pa bërë rrugën - dhe ta përuronte Edvini - kryepushtetari i ri i Ballkanit!).
Jemi te Gërdeci. Ishte aksident, apo atentat? Nëse nuk ishte ky i dyti, a nuk kuptohet se Enveri donte ta shpëtonte atdheun (lexo: karrigen e tij, se atdheun ia kishte shitur Titos, me vakt, më keq, shumë më keq se Kuislingu gjermanëve!), me bunkerë të panumërt dhe me armatime pëllëmbë e barut. Baruti i Enverit kishte shpërthyer në Qafë-Shtamë (para 3 korrikut 2005) dhe në Poliçan, si edhe në shumë vende të tjera, édhe në kohën e tetëvjeçarit. Kishte marrë jetë njerëzish, ndonëse jo në ato përpjesëtime si në Gërdec. Shpërthimi i Gërdecit qé një koincidencë fatlume për kasandrat, por fatkeqe për qeverisjen. Gënjen ai që thotë se nuk mund të ndodhte para 3 korrikut 2005. Përmendëm kasandrat. Propagandistët socialistë të Edvinit e përdorën abuzivisht gjuhën e Kasandrës. Në një hipotezë “donin apo s’donin të ngjante ajo që u jetësua në Gërdec”, përgjigjja është e prerë: sigurisht që donin! “Komunistët, si despotikë, janë përfitues të situatave të vështira”.
...