E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Partitë t‘i qëndrojnë larg anarkisë

Partitë politike të Kosovës duhet të jenë në shërbim të ndërtimit të demokracisë dhe jo të një anarkie e gjuhe joparlamentare. Kështu u shpreh dje, gjatë një interviste për radion "Evropa e Lirë", Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Kryeparlamentari ka folur edhe për shkelje të herëpashershme të rregullores së punës nga partitë, protestën më të fundit të një grupi ish-pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raportet me qeverinë dhe vendimin e pritshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.

Si në Kuvend, ashtu edhe jashtë tij, po vazhdojnë akuzat, kritikat e ndërsjella mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ku çon kjo gjuhë e ashpër politike?

Ka kohë që vërtet kam kërkuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, që të kenë një kulturë komunikimi, sepse Kuvendi përbëhet nga pozita dhe opozita, por partitë politike që përfaqësohen në Kuvend duhet të jenë në shërbim të ndërtimit të demokracisë dhe jo të një anarkie e gjuhe joparlamentare. Kjo do të thotë se, kam bërë kërkesë që partitë politike të tërhiqen nga gjuha joparlamentare.

Një gjuhë e tillë, a mund të ndalohet të paktën në këtë organ?

Nuk është e lehtë. Realisht unë po përpiqem që të gjitha grupet parlamentare ta respektojnë rregulloren, ta respektojnë rendin e ditës. Nëse grupet parlamentare do ta respektonin rregulloren e punës, të miratuar në Kuvend, mbi bazë të së cilës punon Kuvendi dhe do ta respektonin rendin e ditës, sigurisht që nuk do të kishim gjuhë të tillë.

Shkas i akuzave të fundit ka qenë protesta e ish-veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meqë keni qenë edhe vetë në UÇK, mendoni se këta ish-pjesëtarë po trajtohen në mënyrën e duhur?

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është demobilizuar, sepse është transformuar. Ka pjesë të saj në Policinë e Kosovës, në Forcën e Sigurisë së Kosovës, janë të organizuar edhe në shoqata, edhe në organizata të luftës. Sigurisht që, mundësia e institucioneve të Kosovës, e sidomos Ministria e Financave, nuk është për t‘i zgjidhur hallet e të gjithë nevojtarëve që ka Kosova. Kosova dhe institucionet e saj kanë përgjegjësi ndaj të gjithë qytetarëve, jo vetëm ndaj kategorive të veçanta. Por, konsiderojmë se ky ishte një grup i dalë nga të gjithë organizmat që janë transformuar të UÇK-së dhe TMK-së; ishte një grup i kufizuar dhe konsiderojmë që kërkesat e tyre ishin agresive dhe ishin të padrejta. Në fund të fundit, në Kosovë nuk ka vetëm veteranë të UÇK-së, në Kosovë ka edhe veteranë të lëvizjes kombëtare. Mendoj që mënyra se si është reaguar ka qenë e dhunshme dhe si e tillë, për mua është shumë e papranueshme, për faktin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është krijuar për t‘i luftuar institucionet e Republikës së Kosovës, por për t‘i ndërtuar këto institucione. Dhe, natyrisht ky ishte një deformim i kërkesave të një grupi, që rezultuan në një dhunë të pakuptimtë e të papranueshme për çdo qytetar të Kosovës.

Deputetët e partive opozitare kanë deklaruar se në Kuvendin e Kosovës nuk po lejohet fjala e lirë. Cili është mendimi juaj?

Realisht nuk e di ç‘mendojnë me fjalën e lirë. Por unë, edhe sot e thashë, që nuk kam shkuar në vendin e Kryetarit të Kuvendit me mendimin që dikujt t‘ia marr ose t‘ia ndërpres fjalën. Grupet parlamentare e dinë rregulloren e punës së Kuvendit. Ato nuk janë duke e respektuar këtë rregullore. Grupet parlamentare dhe opozita nuk janë duke respektuar gjithashtu as të drejtat, nuk janë duke shfrytëzuar të drejtat e veta që i kanë me rregullore. Nga paaftësia për të bërë kërkesa, siç i kërkon rregullorja e punës, ata janë duke e shkelur atë. Grupet parlamentare, edhe të opozitës, po dalin jashtë rregullave dhe unë, si drejtues i Kuvendit, kam obligim ta respektoj rregulloren.

Ka pasur kritika edhe se Kuvendin e udhëheq ekzekutivi kosovar. A po imponohet axhenda legjislative nga qeveria?

Disa herë e kam thënë këtë. Realisht, punën e Kuvendit shumë e orienton dhe e udhëheq në një formë qeveria, por me ligjet që i proceson, me punën që bën, në fund të fundit si ekzekutiv i vendit, qeveria edhe me Kushtetutë e ligje, e ka atë drejtë. Megjithatë, Parlamenti është i krijuar nga pozita dhe opozita. Pozita ka për obligim t‘i mbrojë kërkesat e qeverisë dhe të mbrojë qeverinë, e kështu Parlamenti funksionon në të gjithë vendin. Natyrisht, opozita ka të drejtë t‘i kërkojë të drejtat e veta, por opozita nuk mund ta drejtojë as Parlamentin, as pozitën dhe as qeverinë.

Në anën tjetër, zoti Krasniqi, Kushtetuta dhe disa nga ligjet e miratuara në Kuvend nuk po zbatohen ende tërësisht. Pse ndodh një gjë e tillë?

Në rend të parë, mendoj se Kosova ende nuk ka ndërtuar kapacitete administrative për ta zbatuar Kushtetutën dhe ligjshmërinë në Kosovë. Ne konsiderojmë se kjo është mungesa e traditës, mungesa e kapaciteteve administrative dhe ndoshta në këtë drejtim mund të themi që edhe gjyqësori, edhe sistemi i drejtësisë, që ka përgjegjësinë për të qenë mbrojtësi kryesor i ligjshmërisë dhe i kushtetutshmërisë në Kosovë, nuk janë duke funksionuar më së miri. Jemi duke ndërtuar institucionet, duke ndërtuar kapacitete dhe mendoj se, në shumë aspekte është mungesa e kapaciteteve administrative në Kosovë. Por natyrisht nuk mund të themi se ka mungesë të vullnetit politik për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet në Kosovë.

Në proces e sipër është shqyrtimi i ligjshmërisë së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Çfarë prisni?

Realisht presim që përgjigjja e Gjykatës Ndërkombëtare, nëse nuk është në favorin e pavarësisë së Kosovës, që konsideroj se është në kuadër të të gjitha normave ndërkombëtare, atëherë mund të presim një përgjigje negative edhe për kërkesën e Serbisë. Në fund të fundit, këshilla e Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë nuk është obligative për asnjërën palë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›