E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidentet, EULEX: Duam bashkëpunimin e Serbisë

Misioni i EULEX-it është gati të bashkëpunojë me autoritetet e Serbisë, në qoftë se incidentet me shpërthime bombash që kanë ndodhur kohët e fundit në jug të Serbisë kanë çfarëdolloj lidhjeje me Kosovën, i deklaroi gazetës së përditshme serbe "Politika", zëdhënësja e policisë së EULEX-it, Karin Limdal. Ajo shtoi se misioni europian për këtë çështje po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës.

"Deri tani, EULEX-i nuk ka marrë nga Beogradi asnjë kërkesë zyrtare për të bashkëpunuar, me qëllim shtjellimin e incidenteve që kanë ndodhur në Bujanovc dhe Preshevë. E vetmja kërkesë, lidhur me këtë çështje, ka ardhur më 9 korrik, kur dy policë serbë u sulmuan në Bujanovc. Po në atë kohë, u bë edhe kërkesa nga ana e autoriteteve të Serbisë që kërkuan rritjen e masave të sigurisë nga ana e Kosovës", theksoi znj. Limdal, deklarata e së cilës vjen menjëherë mbas deklaratës së drejtorit të Policisë së Serbisë, Millorad Veljoviç, sipas të cilit pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK) çojnë armë kontrabandë nga Kosova në pjesën jugore të Serbisë. Gazeta "Politika", që përcjell deklaratën e zëdhënëses së EULEX-it, shpreh keqardhjen që misioni ndërkombëtar (EULEX) i konsideron zhvillimet e fundit në pjesën jugore të Serbisë (Preshevë dhe Bujanovc) si "incidente" dhe jo si "sulme terroriste", sikurse i konsideron ato të tilla policia e Serbisë. Drejtori i Policisë së Serbisë, Veljoviç, ngul këmbë se Ministria e Brendshme e Serbisë ka fakte se në sjelljen e armëve dhe të lëndëve shpërthyese nga Kosova në Preshevë dhe Bujanovc marrin pjesë aktivisht pjesëtarë të SHPK-së. "Ne kemi pamje të filmuara që dëshmojnë për kalimin ilegal të armëve në Preshevë dhe Bujanovc, sidomos nga zona e Gjilanit", thekson Veljoviçi, i cituar nga "Politika".

Duke reaguar ndaj deklaratës së drejtorit të Policisë së Serbisë, zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Besim Hoti, i tha ditët e fundit gazetës "Politika" se Policia e Kosovës do të kërkojë, përmes EULEX-it, nga Policia e Serbisë që kjo e fundit t‘i dërgojë SHPK-së pamjet e filmuara të kontrabandës së armëve nga Kosova për në Preshevë dhe Bujanovc, me qëllim që ajo (Policia e Kosovës) të fillojë hetimet përkatëse.

"Deklaratën e shefit të Policisë së Serbisë ne e kemi parë në media dhe SHPK-ja është e gatshme të fillojë hetimet përkatëse për këto pretendime, prandaj edhe kemi kërkuar nga EULEX-i që të na sigurojë nga organet serbe pamjet filmike dhe prova të tjera", deklaroi z. Hoti, i cituar nga gazeta "Politika".

Autoritetet lokale në Bujanovc dhe Preshevë, ku kanë ndodhur kohët e fundit disa shpërthime, njëri prej tyre para një stacioni policor, i konsiderojnë masat e fundit të "sigurisë" që kanë marrë forcat policore serbe në komunat shqiptare në pjesën jugore të Serbisë si pjesë të fushatës represive policore të shpërthyer kundër shqiptarëve në këto zona. Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi, u ka dërguar këto ditë ambasadave të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe misionit të OSBE-së një letër, në të cilën vë në dukje se policia serbe ka shpërthyer një fushatë represioni në jug të Serbisë. Në këtë letër, gjithashtu, nënvizohet se ministri i Policisë së Serbisë, Ivica Daçiç, përmes aksioneve policore të tilla, "synon të vendosë gradualisht këtu gjendjen e jashtëzakonshme". Z. Kamberi thekson në letër se deklaratat e fundit të Daçiçit janë të pabaza, ndërsa kontribuojnë për "krijimin e një atmosfere frike dhe pasigurie te çdo banor i komunës sonë".

Përgatiti: M.Sinemati



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›