E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup-Athinë, çështja "shkon" në Hagë

Maqedonia dorëzoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dëshmitë për padinë kundër Greqisë. Padia është paraqitur, për shkak të shkeljes së marrëveshjes së përkohshme dypalëshe nga viti 1995 me bllokadën greke të ftesës së Maqedonisë për në NATO, në Samitin e vitit të kaluar të Aleancës në Bukuresht. Argumentet me shkrim në Hagë i dorëzoi bashkëpërfaqësuesi i padisë për palën maqedonase, Nikolla Dimitrov.

"E vlerësojmë këtë mundësi që ta dorëzojmë memorandumin tonë deri te gjykata, për të cilën kemi respekt të veçantë si organ kryesor gjyqtar i Kombeve të Bashkuara. Ekipi ynë ka punuar në mënyrë efikase në përgatitjen e memorandumit dhe e shfrytëzoj këtë mundësi t‘u shpreh falënderim të gjithë atyre që ndihmuan, si në Maqedoni, ashtu edhe ekspertëve tanë të jashtëm, për përpjekjet e tyre dhe mbështetjen", deklaroi ambasadori Dimitrov, pas dorëzimit të dokumentit.

Sikurse njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup, sipas afateve të gjykatës, pas parashtrimit të dëshmive të Maqedonisë, Greqisë do t‘i lihet periudhë gjashtëmujore (deri më 21 janar të vitit 2010) për dorëzimin e kundërargumenteve të saj. Pas marrjes së materialeve dëshmuese nga të dyja palët, gjykata do të bëjë konsultime me ta dhe do të vendosë se ç‘procedurë do të zbatojë. Dokumentet me shkrim mbeten të besueshme deri në fillimin e debatit. Nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kërkohet që të detyrohet Greqia t‘i respektojë obligimet e veta të parashikuara nga marrëveshja e përkohshme, e cila juridikisht është e detyrueshme për të dyja vendet.

Athina bllokoi anëtarësimin e Shkupit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me çështjen e emrit që këto dy vende kanë me njëra-tjetrën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›