E Diel, 1 Nëntor 2026

3 ligjet, Berisha: Ne do i votojmë, por opozita dëshmoi se i bllokoi për Pazare

LEZHE-Kryeministri Sali Berisha akuzoi sot të majtën se në emër të 3 ligjeve ka bërë pazare duke bllokuar marrjen e statusit te vendit kandidat të Shqipërisë për në Bashkimin Europian.

Nga Lezha, ku Kryeministri mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Lezhë-Kala, Berisha theksoi se qeveria realizoi cdo reformë për marrjen e statusit.

“Por opozita shqiptare gjykoi, më mirë të bllokohet statusi sesa të vlerësohet qeveria. Më 10 Tetor, 2011, Komisioni Evropian dha afatin deri në muajin Mars. U bë gjithçka që të merrnin statusin, por u bë gjithçka nga ata që të mos votoheshin 3 ligjet, dhe tani e bënë ligjin si pallati në pajë. E bënë Pazar. Ne do i votojmë, por mbi ta do rëndojë akti më i papërgjegjshëm. Ata tregojnë se nuk kanë asnjë princip. Principi i tyre janë vetëm pazaret e vetëm pazaret, dhe jo interesat e qytetarit që me statusin e vendit kandidat do merrnim qindra miliona euro për investime.
U tregua se ata bëjnë marrëveshje për interesa, por nuk cfarë shtoj më, cilësimin më të bukur ua bëri z Majko, kur ua cilësoi, si marrëveshje të 1 prillit”, u shpreh kryeministri. 

Punesimi
Kryeministri Sali Berisha theksoi sot në inaugurimin e rrugës Lezhe – Kala – Lagjia Sheher se, “Punësimi i mbetet përparësia jonë më madhore.”

“Ne po bëjmë gjithçka për të bërë që në Shqipëri të gjenerohen sa më shumë vende pune. Ne nuk kënaqemi se është ulur 0.5 përqind papunësia, duhet të shndërrojmë Shqipërinë në gjenerues të vendeve të punës. Jemi i vetmi vend që heq çdo lloj takse, për të bërë që investitorët të bëhen më të guximshëm”, tha kryeministri citon noa.al.

Duke iu referuar kundërshtarëve politikë Berisha tha se, “alternativa tjetër është rritje taksash dhe mashtrime të kohës së vjetër. Rritje taksat, por shkatërron vendet e punës, rritje taksash, por largon investitorët.”

“Si ndodhi që morëm 4.2 miliard dollarë investime”, tha Berisha, duke sqaruar se “ishin anëtarësimi në NATO dhe ulja e taksave” arsyeja pse Shqipëria përfitoi nga investimet e huaja. Rritja e taksave vetëm largon investitorët nga Shqipëria, deklaroi kryeministri, i cili premtoi se “ 4 vitet që vijnë do të ketë ulje të mëtejshme të taksave. Ne po ecim drejt këtyre zgjedhjeve me një program më konkret se kurrë ndonjëherë. Me një program që do të ketë efekt ndryshues”, tha mes të tjerash në fjalin e tij në Lezhe ku është për inaugurimin e rrugës 3.1 kilometra Lezhe – Kala – Lagjia Sheher

Rruga Lezhe – Kala – Lagjia Sheher, në qytetin e Lezhës, ka gjatësi 3,1 km dhe vlerë investimi 195 milion lekë. Rruga, e cila sjell për banorët dhe turistët standarde moderne të infrastrukturës është financuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve. Ajo është 5 m e gjerë dhe është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë trotuare, vendparkime, ndriçim publik, kanalizime, vepra arti, mure mbajtës etj. Rreth nje kilometër i kësaj rruge, në hyrje të Kalasë është shtruar me kalldrëm duke ruajtur traditën dhe historinë e këtij objekti. Ndërhyrja në këtë pjesë është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës dhe Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik. Ky segment rrugor nga i cila përfitojnë 23 mijë banorë është një investim mjaft i rëndësishëm, pasi bën të mundur lidhjen e lagjes më të vjetër të qytetit me Kalanë e njohur të Lezhës, por edhe me spitalin rajonal. Prej vitesh Kalaja e Lezhës, një monument me vlera historike dhe trashëgimi kulturore, ishte i paarritshëm nga vizitorët për shkak të gjendjes së keqe të rrugës, që ndër të tjera vështirësonte edhe lëvizjen e banorëve të lagjes së vjetër Shehër të këtij qyteti.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera ‘3 ligjet’, Ilir Meta: Shpresoj që Berisha të mbajë fjalën për miratimin e tyre

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›